Familjarët e 15-vjeçarit Erjon Boba, i cili ndërroi jetë dje pas gjashtë ditësh në Spitalin Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, kanë denoncuar kushtet e papranueshme të trajtimit fillestar që ai mori në Spitalin e Durrësit.
Sipas tyre, përplasja e adoleshentit me një 14-vjeçar tjetër, e cila ndodhi më 25 nëntor pranë ambientit të jashtëm të shkollës “Dom Nikollë Kaçorri”, rezultoi fatale për jetën e tij dhe u përkeqësua nga mungesa e kushteve bazë në spital.
Pas plagosjes, Erjoni u nënshtrua operacionit në Durrës, por ndërprerja e energjisë gjatë ndërhyrjes ka bërë të domosdoshme transportimin urgjent të tij në QSUNT për trajtim të specializuar. Familjarët bëjnë me dije se ndërprerja e dritave dhe mungesa e infrastrukturës, përfshirë edhe ashensorin për emergjencat, kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së të miturit.
Familjarët theksojnë se, megjithë përpjekjet e stafit mjekësor, kushtet e spitalit në Durrës ishin të papërshtatshme dhe të pamjaftueshme për të trajtuar një rast emergjent kaq serioz.
“Në spitalin e Durrësit, turp i Zotit, iknin dritat, prandaj e çuan në Tiranë urgjent. Gjendja e djalit u përkeqësua, sepse e kemi mik shtëpie dhe jemi në dijeni të çdo gjëje.
Po. Kjo ka ndodhur vërtet. Si në mesjetë. Operim pa drita, por çdokush do të mbulojë diçka, që nga vrasësit, policia, spitali, media, të gjithë gënjejnë se nuk kanë qenë aty. Për 5 ditë, askush. Mjekët aty janë munduar, por kushtet janë fatale, as ashensor nuk kishte për emergjencat”, u shpreh halla e të ndjerit në një prononcim për JOQ.
