
Reagim i ashpër pas prononcimeve publike të kryeministrit mbi çështjen e Belinda Ballukut, gjyqtarët flasin për kërcënim ndaj pavarësisë së sistemit
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dalë me një qëndrim zyrtar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama lidhur me procesin gjyqësor të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, çështje e cila po shqyrtohet paralelisht në Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e posaçme. Sipas Shoqatës, deklaratat e Ramës mbartin tone që mund të interpretohen si presion ndaj gjyqtarëve të përfshirë në shqyrtimin e dosjes, duke rrezikuar parimin e pavarësisë së pushteteve.
Në reagimin e bërë publik, gjyqtarët shprehin shqetësimin për ndikimin që mesazhe të tilla mund të kenë tek opinioni publik, duke krijuar mosbesim ndaj sistemit të drejtësisë dhe duke hapur mundësi për ndërhyrje tek organet gjyqësore. Shoqata kujton se ndarja e pushteteve është bazë e demokracisë dhe se vendimet gjyqësore nuk duhet të ndikohen nga opinioni politik apo presioni publik.
Ajo i bën thirrje zyrtarëve të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ të shmangin çdo veprim apo deklaratë që mund të cenoje integritetin e drejtësisë, duke theksuar se gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjit. Çdo ndërhyrje në proceset gjyqësore konsiderohet formë e rrezikshme cenimi të parimit të ndarjes së pushteteve.
Reagimi vjen në një kohë kur çështja Balluku mbetet ndër zhvillimet më të ndjekura të ditëve të fundit. Lajmi në përditësim.
