
Organizata e gjyqtarëve shprehet se raportimet mediatike kanë kaluar nga kritika në sulme personale, duke dëmtuar besimin e publikut te drejtësia.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas publikimeve të fundit në media lidhur me kandidimin e gjyqtarit Asim Vokshi për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Në reagimin e saj, Shoqata thekson se disa prej raportimeve nuk kanë mbetur në kuadër të debatit të lejuar publik, por janë shndërruar në sulme personale që dëmtojnë reputacionin dhe figurën profesionale të një magjistrati në detyrë.
Sipas Shoqatës, përpjekjet për të delegjitimuar procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe sulmet ndaj integritetit të tyre minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, të cilin vetë gjyqtarët përpiqen ta forcojnë çdo ditë përmes punës së tyre.
Shoqata nënvizon se roli i medias është thelbësor në një shoqëri demokratike, por përdorimi i platformave publike duhet bërë me përgjegjësi dhe në përputhje me etikën profesionale. Ajo apelon që debati publik të zhvillohet mbi fakte dhe argumente, pa cenuar dinjitetin e individëve dhe institucionet që ata përfaqësojnë.
Reagimi mbyllet duke rikujtuar se respektimi i pavarësisë së gjyqtarëve është element themelor për funksionimin e drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
