Ceremonia përkujtimore në nder të këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi është përmbyllur mes emocioneve të forta dhe duartrokitjeve të gjata nga të gjithë të pranishmit.
Salla e Pallatit të Kulturës në Tetovë, e mbushur deri në vendin e fundit me familjarë, miq, kolegë, figura publike dhe qytetarë, u ngrit në këmbë në shenjë respekti për artistin që la gjurmë të thella në muzikën shqiptare.
Në mbyllje të ceremonisë, ndërsa arkëmorti i Shpatit ishte i vendosur në skenë i mbuluar me flamurin kombëtar, u dhanë fjalët e fundit para nisjes drejt varrezave: “Zoti e shpërbleftë me parajsë, dalëngadalë, po nisim rrugën për tek varrezat”.
Atmosfera në sallë ishte e rënduar nga dhimbja, por e mbushur edhe me mirënjohje për jetën dhe veprën e artistit.
Duartrokitjet e pranishmeve zgjatën për minutë të tëra, ndërsa shumë prej tyre nuk i përmbajtën lotët.
Pas ceremonisë përkujtimore në Pallatin e Kulturës në Tetovë, këngëtari i ndjerë Shpat Kasapi u përcoll për në banesën e fundit, i shoqëruar nga një numër jashtëzakonisht i madh njerëzish.
Qytetarë, familjarë, miq, kolegë të skenës dhe admirues të muzikës së tij u bashkuan në kortezhin mortor, duke ecur në heshtje dhe me lot në sy pas arkëmortit të mbuluar me flamurin kombëtar.
Rrugët e Tetovës u mbushën me njerëz që kishin dalë për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit 40-vjeçar, i cili u nda papritur nga jeta.
Atmosfera ishte e rënduar, ndërsa shumë prej të pranishmëve mbanin fotografi të Shpatit ose vendosnin lule mbi arkëmort.
Në varrezat e qytetit, ku u bë edhe ceremonia e varrimit, u dëgjuan lutje dhe fjalë ngushëllimi, ndërsa dhjetëra persona vazhduan të derdhnin lot për humbjen e papritur të këngëtarit.
