
Autoritetet shëndetësore shpjegojnë pse virusi përhapet lehtësisht në anije dhe cilat masa u morën për izolimin e rastit
Një epidemi norovirusi ka prekur një kroçerë në Karaibet jugore, ku 94 pasagjerë kanë shfaqur simptoma të rënda gastrointestinale gjatë udhëtimit. Rasti është regjistruar në bordin e anijes Rotterdam të kompanisë Holland America, gjatë itinerarit vajtje-ardhje nga Fort Lauderdale me ndalesa në Curaçao, Kolumbi, Kosta Rikë dhe Xhamajkë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Centers for Disease Control and Prevention, nga gjithsej 2 593 pasagjerë dhe 1 005 anëtarë të ekuipazhit, 94 persona raportuan simptoma si të vjella, diarre, nauze dhe dhimbje barku. Rastet u shfaqën në periudhën 28 dhjetor deri më 9 janar.
Norovirusi është shumë ngjitës dhe përhapet lehtësisht në ambiente të mbyllura si anijet turistike, për shkak të kontaktit të ngushtë mes pasagjerëve, përdorimit të përbashkët të hapësirave dhe vështirësisë për të frenuar shpejt zinxhirin e infeksionit. Edhe pse shumica e të prekurve shërohen brenda një deri në tre ditë, virusi mund të mbetet ngjitës për disa ditë edhe pas zhdukjes së simptomave.
Në reagim të situatës, ekuipazhi intensifikoi pastrimin dhe dezinfektimin e ambienteve, izoloi pasagjerët e sëmurë dhe mblodhi mostra për analiza laboratorike. Autoritetet shëndetësore monitoruan nga afër menaxhimin e situatës dhe zbatimin e protokolleve të higjienës.
Kompania Holland America bëri të ditur se shumica e rasteve kanë qenë të lehta dhe janë zgjidhur shpejt, duke theksuar se shëndeti dhe siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbeten prioritet absolut. Pas mbërritjes në Fort Lauderdale, anija iu nënshtrua një procesi të plotë dezinfektimi, në përputhje me udhëzimet e CDC.