
Policia gjermane konfirmon se nuk ka rrezik për publikun; hetimet po vazhdojnë mbi shkakun e incidentit
Një shpërthim i fortë, i paraprirë nga një zjarr, ka tronditur qytetin e Mynihut në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Sipas policisë, ngjarja ndodhi në një ndërtesë rezidenciale, ku një person mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spital.
Mediat gjermane, përfshirë Bild, raportuan se autori i dyshuar i zjarrvënies është gjetur i vdekur, ndërsa një tjetër person dyshohet se është qëlluar me armë zjarri. Megjithatë, autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë version.
Për masë sigurie, autoritetet vendosën të mbyllin përkohësisht Oktoberfest-in, festën tradicionale të birrës që po zhvillohej në qytet, ndonëse policia theksoi se nuk ka asnjë lidhje mes shpërthimit dhe festivalit.
Një njësi e madhe policore dhe zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje, ndërsa qarkullimi në zonë është bllokuar, deri në përfundimin e ndërhyrjes. Hetimet mbi rrethanat dhe shkaqet e shpërthimit vijojnë.