
Dy efektivë policie dhe një civil humbën jetën gjatë një operacioni, autoritetet flasin për dyshime ndaj shërbimeve ukrainase të inteligjencës
Një shpërthim i fuqishëm makine ka tronditur Moskën më 24 dhjetor, duke shkaktuar vdekjen e dy oficerëve të policisë ruse dhe një civili. Ngjarja ndodhi në momentin kur forcat e rendit po i afroheshin një personi të dyshuar, ndërsa automjeti ku ai ndodhej shpërtheu papritur.
Sipas mediave shtetërore ruse, dy policët ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa një person i tretë, civil, që ndodhej pranë vendngjarjes, humbi gjithashtu jetën. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet pas shpërthimit dhe ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës.
Autoritetet ruse kanë nisur hetime të gjera për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Zëdhënësja e Komitetit Hetimor të Rusisë deklaroi se po shqyrtohen disa pista, mes të cilave edhe mundësia që shpërthimi të jetë organizuar nga shërbimet e inteligjencës së Ukrainë. Moska ka akuzuar edhe më herët Kievin për përfshirje në sulme ndaj zyrtarëve dhe strukturave të sigurisë ruse.
Ky incident vjen vetëm pak ditë pas një tjetër shpërthimi të ngjashëm, ku humbi jetën një gjeneral i lartë i ushtrisë ruse, duke shtuar tensionet dhe pasigurinë në kryeqytetin rus. Ndërkohë, hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë mbi autorin apo autorët e mundshëm të sulmit.
