
Policia identifikon katër të dyshuar për vendosjen e tritolit në një biznes në bulevardin Nënë Tereza; motiv dyshohet një gjobëvënie prej 500 mijë eurosh.
Brenda vetëm 24 orëve nga shpërthimi i ndodhur në Kamëz, autoritetet kanë zbardhur dinamiken e ngjarjes dhe kanë identifikuar katër persona të dyshuar si autorë. Tre prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër vijon të kërkohet.
Operacioni policor i koduar Motivi çoi në arrestimin e Jeton Lamit, 31 vjeç, Florin Domit, 30 vjeç, dhe Flogert Mezhikës, 34 vjeç, të gjithë banues në Kamëz. Personi i katërt, 31-vjeçari me inicialet E. L., është shpallur në kërkim.
Hetimet e deritanishme tregojnë se lënda plasëse është vendosur në fasadën e një biznesi në bulevardin Nënë Tereza, me qëllim ushtrimin e presionit ndaj pronarit për të paguar një shumë prej 500 mijë eurosh. Shpërthimi shkaktoi vetëm dëme materiale dhe nuk pati të lënduar.
Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Komisariatin nr. 5 dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ka sekuestruar prova dhe vijon punën për dokumentimin e plotë të skemës së gjobvënies, si dhe për identifikimin e të tjerëve që mund të jenë të përfshirë.
Materialet e çështjes i janë dërguar Prokurorisë për procedurat e mëtejshme.
