
Zbardhet roli i Jeton Lamit, Florin Domit dhe bashkëpunëtorëve në përplasjen që parapriu vendosjen e tritolit në lokal
Hetimet për shpërthimin me tritol në një lokal në Kamzë po nxjerrin në dritë një rrjet presionesh dhe kërcënimesh që kishte nisur ditë para ngjarjes. Burime hetimore tregojnë se personat e vënë në pranga janë Jeton Lami, Florin Domi dhe Flogert Mzhika, ndërsa dy të tjerë vijojnë të jenë në kërkim.
Sipas dëshmive, Florin Domi, me biznes pranë lokalit, kishte thirrur pronarin Saimir Sina duke i thënë se po e kërkonte Lami. Takimi mes tyre është tensionuar kur Lami e ka pyetur Sinën pse i kundërshtonte, ndërsa pronari ka deklaruar se nuk e njihte fare. Në atë moment, Lami i ka kërkuar 500 mijë euro, duke e paralajmëruar se nëse nuk paguante do përballej me pasoja të rënda.
Sina ka refuzuar dhe pak ditë më pas është larguar drejt Italisë, ku edhe jeton. Ndërkohë, Flogert Mzhika ka shkuar te dy kunetërit që administronin biznesin me qira, duke u thënë se nuk do ta mbanin gjatë lokalin.
Autor i vendosjes së tritolit dyshohet të jetë një tjetër pjesëtar i grupit, ende i paidentifikuar, i cili mendohet se ka qenë i përfshirë edhe në vendosjen e lëndës shpërthyese në banesën e familjes Mziu dhe në ngjarje të tjera të ngjashme.
Rasti po hetohet si pjesë e një veprimtarie kriminale të organizuar, me skema shantazhi, gjobe-vënieje dhe përfshirje të disa personave me precedent penal.
