
Arjan Kraja, njeriu që shpëtoi dy fëmijë nga mbytja në plazhin e Velipojës, ka ndërruar jetë pas tre muajsh në gjendje kome.Ai kishte pësuar ishemi si pasojë e përpjekjes heroike për të shpëtuar jetët e fëmijëve, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.
Arjan Kraja punonte në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH), të cilët njoftuan me keqardhje të thellë ndarjen e tij nga jeta dhe i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjes.“Me keqardhje të madhe, Ekipi i OSSH-së ka marrë lajmin për humbjen e kolegut të dashur, Arjan Kraja. Gjatë viteve në detyrë si shef grup, Arjani u dallua për përkushtimin profesional, ndershmërinë dhe mirësinë e tij njerëzore, që e bënte të respektuar dhe të dashur nga të gjithë kolegët.
Në këto momente të dhimbshme, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij,” thuhet në njoftim.