
Mariglen Hoxha, punëtor nga Shqipëria dhe i njohur si hero në Mytilene, humbi jetën pas rënies nga çatia e një banese ku po punonte.
Komuniteti shqiptar në Greqi është tronditur nga humbja e Mariglen Hoxhës, 45 vjeç, i cili ndërroi jetë pas një aksidenti të rëndë në vendin e punës në Mytilene. Hoxha u rrëzua nga lartësia ndërsa po kryente punime në çatinë e një banese dhe, sipas informacioneve të para, në momentin e ngjarjes ai ndodhej i vetëm, çka e bëri të pamundur dhënien e ndihmës së menjëhershme.
Mariglen Hoxha ishte një emër i njohur për qytetarët e Mytilenes. Në shtator të vitit të kaluar, ai u vlerësua gjerësisht për aktin e tij të guximshëm, pasi shpëtoi një grua 71-vjeçare e cila ra aksidentalisht në port teksa po ngjitej në traget. Pa menduar dy herë, Hoxha u hodh në det dhe qëndroi për rreth 20 minuta duke e mbajtur të moshuarën mbi ujë, deri në mbërritjen e ndihmës.
Historia e tij u bë e njohur në Greqi, ku banorët e quanin me përkëdheli Marios. Ai tregon se si e pa të moshuarën në vështirësi dhe u hodh menjëherë në ujë për ta shpëtuar, duke e qetësuar derisa ekipet e ndihmës mbërritën në vendngjarje.
Lajmi i vdekjes së Hoxhës ka ngjallur reagime të forta në Mytilene. Qendra e Punës së rajonit ka dënuar ashpër aksidentin dhe ka bërë thirrje për një protestë në Sheshin Sappho, me qëllim sensibilizimin për rreziqet në vendet e punës dhe kërkesën për kushte më të sigurta për punëtorët e huaj dhe vendas.
Vdekja e tij është përjetuar si një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe komunitetin shqiptar, por edhe për qytetarët grekë që e njohën dhe e vlerësuan për humanizmin dhe guximin e tij.
