
Shkencëtarët paralajmërojnë për rrezikun e përsëritjes së skenarit të Wuhan, pasi disa specie lakuriqësh nate të infektuar me koronaviruse janë zbuluar në ferma të Italisë veriore.
Një grup shkencëtarësh nga universitetet e Romës dhe Padovës ka ngritur alarmin për një rrezik të ri pandemik në zemër të Evropës. Studimi i tyre, i publikuar në revistën shkencore PLOS One, tregon se kushtet që çuan në shpërthimin e pandemisë së Covid-19 në Kinë mund të jenë duke u përsëritur në Itali.
Pas analizave të kryera në 14 ferma derrash në rajonin verilindor të Italisë, studiuesit zbuluan se tetë specie të ndryshme lakuriqësh nate kalonin çdo natë mbi këto ferma, duke ndalur mesatarisht 45 herë në çdo vend. Fermat strehonin nga 500 deri në 8 mijë derra secila, një mjedis ideal për përhapjen e viruseve përmes jashtëqitjeve të lakuriqëve që bien mbi kafshët dhe ushqimin e tyre.
Rezultatet ishin shqetësuese: 15% e lakuriqëve të testuar dolën pozitivë me të paktën një variant koronavirusi, ndërsa disa specie bartnin dy variante njëkohësisht. Sipas shkencëtarëve, kjo krijon mundësinë që virusi të kalojë nga lakuriqët te derrat dhe më pas te njerëzit përmes kontaktit të drejtpërdrejtë ose ushqimit të kontaminuar.
Në raport thuhet: “Në mungesë të barrierave që ndalojnë kontaktin mes derrave dhe jashtëqitjeve të lakuriqëve, rreziku për transmetim viral mbetet i lartë.” Shkencëtarët paralajmërojnë se virusi mund të pësojë mutacione që e bëjnë më të përshtatshëm për transmetim nga njeriu te njeriu, duke rritur rrezikun e një pandemie të re.
Ekspertët theksojnë se fenomeni është përforcuar nga urbanizimi dhe ndërhyrja njerëzore në habitatet natyrore. “Kafshët që përshtaten me mjediset njerëzore kanë më shumë gjasa të bëhen burim i sëmundjeve të reja,” shkruajnë autorët e studimit.
Kjo teori përputhet me hipotezën e “origjinës natyrore” të Covid, të mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, sipas së cilës virusi u përhap fillimisht nga lakuriqët përmes një kafshe ndërmjetëse, ndoshta një derr apo pangolin, përpara se të kalonte te njerëzit.
Por jo të gjithë e pranojnë këtë version. Agjencitë amerikane të inteligjencës, përfshirë FBI dhe CIA, vazhdojnë të mbështesin teorinë se virusi mund të ketë dalë aksidentalisht nga Instituti i Virologjisë në Wuhan, ku po studioheshin koronaviruset.
Ndërkohë, studiuesit italianë kërkojnë që autoritetet evropiane të rishikojnë masat e bio-sigurisë në fermat e derrave dhe të kufizojnë kontaktin mes faunës së egër dhe kafshëve shtëpiake, për të shmangur atë që disa e quajnë “Covid 2.0”.