XHEZAIR ZAGANJORI
PJESA E PARË
Në artikujt e mëparshëm, bazuar kryesisht në dokumentacionin arkivor të Ministrisë së Jashtme gjermane (Auswärtiges Amt), dokumentacion që në atë kohë konsiderohej “tepër sekret”, kemi parë se në prill 1939, Rajhu gjerman ishte krejt indiferent ndaj pushtimit italian të Shqipërisë. Drejtori i përgjithshëm politik i kësaj ministrie, Ernst Ëoermann, që kishte pritur po atë ditë ambasadorin shqiptar në Berlin, diplomatin e shquar Rauf Fico, u shkruante më 5 prill 1939 shefave të tij se i thashë ambasadorit që “…ai duhej ta dinte se marrëdhëniet gjermano–italiane janë tepër të ngushta…” dhe se “Gjermania nuk ka interesa të drejtpërdrejta në Adriatik…”, pasi aty do të jetë prezente Italia… Po ashtu, ambasadori gjerman në Tiranë Pannwitz udhëzohej nga zëvendësministri i Jashtëm i tij, Ernst von Weizswcker që “… të mos bënte asnjë veprim që do të vinte në dyshim pëlqimin tonë të pakufizuar për veprimet e italianëve në Shqipëri…”. Jo vetëm kaq, por me 15 prill 1939, numri dy i Rajhut gjerman Hermann Göring, do t’i niste një telegram Musolinit në emër të Hitlerit, përmes të cilit i dërgonte “…. Urimet më të përzemërta për rregullimin e problemit shqiptar (albanische Angelegenheit)”.
Kjo indiferencë e Hitlerit në Ballkan do të ndryshonte rrënjësisht dy vjet më vonë. Nxitur fillimisht nga dështimet e operacionit ushtarak italian kundër Greqisë dhe më pas nga zhvillimet politike në Jugosllavi, ku më 27 mars 1941, ushtarakë jugosllave të mbështetur nga Britania detyruan Princin Regjent Pavël që kishte nënshkruar dy ditë më parë (25 mars) një Pakt Bashkëpunimi me Fuqitë e Boshtit, ta lëshonte Fronin Mbretëror jugosllav, për t’ia kaluar atë Princit Pjetri i II, me argumentin se tashmë ai kishte mbushur moshën madhore 18 vjeç. Natyrisht që Princi i ri ishte i orientuar nga bashkëpunimi me Forcat Aleate. Këtë veprim Hitleri e konsideroi si grusht shteti, ndaj duke shtyrë edhe sulmin kundër ish-Bashkimit Sovjetik, urdhëroi përgatitjen për të ndërmarrë pas rreth 10 ditësh, më 6 prill 1941, operacionin ushtarak Fushata Ballkanike (Balkanfelzug), përmes të cilit u pushtuan Jugosllavia dhe Greqia. Në këtë operacion, forcat gjermane u mbështetën edhe nga trupa të disa prej aleatëve të tjerë në koalicionin e Boshtit Qendror, konkretisht, Italia, Bullgaria e Hungaria.
Përveç sa më sipër, interesi gjerman në Ballkan, e veçanërisht ndaj Shqipërisë, do të shtohej dukshëm në periudhën në vijim. Faktor vendimtar ishte suksesi i Forcave Aleate në Afrikën e Veriut si dhe zbarkimi i forcave anglo – amerikane në Sicili (10 korrik – 17 gusht 1943) përmes Operacionit Husky. Në këtë situatë, Hitleri krijoi bindjen se pas kapitullimit të shpejtë të Italisë, duke shfrytëzuar pozicionin gjeografik të Shqipërisë pranë Kanalit të Otrantos, si dhe boshllëkun që do krijohej nga largimi trupave italiane, Forcat Aleate do të zbarkonin në bregdetin shqiptar për të ndërmarrë nga aty veprime ushtarake kundër Wehrmacht-it. Për këto arsye, Rajhu gjerman mendon të marrë masa urgjente për të vënë nën kontroll sa më të plotë vijën bregdetare shqiptare, në një kohë që situata në Shqipëri nuk njihej mire. Për arritjen e këtij qëllimi, në ndryshim nga Italia që në periudhën prill 1939-shtator 1943 e ktheu Shqipërinë thjeshtë në koloni, fillimisht nën petkun e protektoratit e më pas në atë të Bashkimit Personal nën Kurorën e Viktor Emanuelit III-të, Gjermania planifikoi e zbatonte një strategji të tillë që formalisht bazohej në rishpalljen, rikrijimin e garantimin e një shteti të pavarur shqiptar, i cili duhej të drejtohej nga një qeveri që do të ishte “bashkëpunuese e miqësore” me Rajhun, pra duhej të ishte një qeveri kukull apo kuislinge, ashtu siç ishte vepruar edhe në disa prej territoreve europiane të pushtuara nga Wehrmachti.
Sigurisht që qeveria hitleriane në asnjë rast nuk mund të bashkëvepronte për këtë qëllim me forcat komuniste, të cilat Hitleri i luftonte kudo pa hezitim, ndaj objektivi kryesor i “gjuetisë apo joshjes” së saj për bashkëpunim do të ishin kryesisht shtresat intelektuale e forcat nacionaliste, të cilat ishin të prirura apo më të ekspozuara të ëndërronin me idealizëm bashkimin kombëtar. Në këtë grup duhej të bënin pjesë veçanërisht intelektualët e nacionalistët e shumtë që kishin kundërshtuar me forcë që në fillim pushtimin italian, e që pikërisht për këtë arsye ishin lënë pa punë, përndjekur e internuar nga Qeveria e Musolinit. Nga ana tjetër, duket qartë se në rastin e Shqipërisë, përveç forcave nacionaliste brenda kufijve të përcaktuara nga Konferenca e Londrës me 1913 (Shqipëria e Vjetër), do të kërkohej bashkëpunim i veçantë sidomos me forcat nacionaliste të trojeve shqiptare të lëna jashtë shtetit amë nga kjo Konferencë, të cilat me ndihmën e Gjermanisë duhej t’i bashkoheshin Shqipërisë, duke krijuar kështu në vitin 1943, me emrin joshës, të ashtuquajturën Shqipëri e Re. Duhej “punuar” që banorët e këtyre trojeve t’i shihnin gjermanët si çlirimtarë të vërtetë. Vetëm në këtë mënyrë mund të tentohej të garantohej edhe besnikëria e shtresave intelektuale dhe forcave nacionaliste shqiptare brenda e jashtë vendit.
FUQITË ALEATE
Nxitimi i udhëheqjes naziste në këtë drejtim imponohej edhe nga rritja e vazhdueshme e simpatisë së shqiptarëve ndaj Forcave Aleate, të cilat sigurisht që kishin shumë interes të kishin një mbështetje sa më të gjerë morale e praktike në luftën kundër Boshtit Qendror. Kjo konstatohet edhe në deklaratat e rëndësishme që tri Fuqitë Aleate kryesore bënë për Shqipërinë në dhjetor 1942, kohë kur realisht, pas fitoreve në frontin sovjetik dhe zbarkimit të parë të suksesshëm anglo-amerikan në Afrikën e Veriut (8 nëntor 1942), fillon furishëm kundërofensiva e tyre ndaj Boshtit.
Kështu, më 10 dhjetor 1942, Sekretari amerikan i Shtetit Cordel Hull do të bënte një deklaratë, në të cilën thuhet se, “Qeveria e SHBA nuk është e pavëmendshme ndaj rezistencës së vazhdueshme të popullit shqiptar kundër pushtuesve italianë. Përpjekjet e forcave të ndryshme guerile që veprojnë ndaj armikut të përbashkët në Shqipëri janë për t’u admiruar e vlerësuar shumë. Qeveria dhe populli amerikan mezi presin të vijë dita që t’u japin ndihmë ushtarake efektive këtyre burrave trima, që duan ta përzënë pushtuesin nga vendi i tyre….”. Më 17 dhjetor, Sekretari i Shtetit të Britanisë, Anthony Iden, bëri gjithashtu një deklaratë të përafërt në Dhomën e Komuneve, duke theksuar se, “Qeveria e Madhërisë së Tij shpreh simpatinë e thellë për shqiptarët, një popull që ka qenë ndër viktimat e para të agresionit fashist. Prandaj ne dëshirojmë që Shqipëria të çlirohet nga zgjedha italiane dhe të rishpallë pavarësinë…”. Më 19 dhjetor 1942 bëri një deklaratë edhe Qeveria sovjetike, ku thuhej se “Bashkimi Sovjetik solidarizohet plotësisht me luftën kurajoze për liri të patriotëve shqiptarë kundër pushtuesve italianë dhe nuk njeh asnjë pretendim të imperialistëve italianë ndaj Shqipërisë… Qeveria Sovjetike është e sigurt se lufta për pavarësi e popullit shqiptar do të bashkohet me luftën e popujve të tjerë të Ballkanit ndaj pushtuesve italo–gjermanë”. Pavarësisht nuancave, duket qartë se në thelb, në të tria deklaratat e Fuqive Aleate synohet që edhe në Shqipëri të zgjerohej më tej simpatia e mbështetja sa më e gjerë popullore kundër Fuqive të Boshtit Qendror, e veçanërisht kundër Italisë Fashiste e Gjermanisë Naziste. Kjo vëmendje e shtuar e Forcave Aleate ndaj Shqipërisë do të kishte impakt edhe në territoret shqiptare. Jo me kot, Mëkëmbësi i Viktor Emanuelit në Shqipëri, Françesko Jakomoni, do t’i thoshte në fillim të shkurtit 1943 Konsullit gjerman në Tiranë se kohët e fundit është rritur së tepërmi “armiqësia e shqiptarëve kundër Italisë, sepse besimi i tyre në fitoren e Boshtit ka humbur gjithnjë e më shumë terren. Tashmë në Shqipëri në modë është dëgjimi i Radio Londrës…”.
Por siç theksuam, në korrik-gusht 1943, Hitleri ishte i detyruar të zbatonte strategjinë e re për Shqipërinë, me fokus kryesor ndalimin e zbarkimit të Forcave Aleate në bregdetin shqiptar. Në zbatim të këtyre ideve është edhe telegrami sekret që ministri i Jashtëm Joachim Ribbentrop, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Hitlerit, i dërgon Ambasadës gjermane në Romë më 21 gusht 1943 (pra 4 ditë pas zbarkimit Aleat në Sicili), me porosinë që ai (telegrami) t’i jepej Konsullit të Përgjithshëm gjerman në Tiranë Martin Schliep. Ndër të tjera, Ribbentrop i kërkonte Konsullit Schliep t’i raportojë me hollësi lidhur me: a) Situatën politike në Shqipëri, duke dhënë mendim se kush mund ta drejtonte në një të ardhme të afërt qeverinë e re shqiptare, e cila “duhet të ketë objektiva të qarta”; b) Si paraqitet gjendja për realizimin e misionit kryesor të ardhjes së trupave gjermane, që është kontrolli dhe siguria e bregdetit shqiptar; c) Shqiptarët të qetësohen politikisht me argumentin se misioni i ushtarëve gjermanë është kalimtar; d) Të jepej mendimi se si do të organizohej deklarimi i pavarësisë së Shqipërisë së Re dhe i qeverisë së saj, e cila “duhet të ishte pozitive” ndaj Rajhut. Për këtë qëllim duhej gjetur ndonjë personalitet shqiptar, që me mbështetjen politike e ushtarake gjermane, të merrte në dorë drejtimin e vendit; e të tjerë.
“BASHKËPUNIMI AKTIV”
Dy ditë më vonë, në përgjigje të telegramit të mësipërm, konsulli Schliep do të shprehej skeptik lidhur me “bashkëpunimin aktiv” me shqiptarët në këtë fazë, ndaj propozon që fillimisht të dërgohej sa më shpejt për këtë qëllim në Kosovë bashkëpunëtori i tij në Konsullatë, Franz von Scheiger, i ardhur vetëm një muaj më parë në Tiranë. Ai shton se Scheiger e njihte mjaft mirë terrenin gjeografik dhe situatën politike e ekonomike në hapësirën shqiptare, veçanërisht në Kosovë. Kishte qenë në këto troje si oficer i ushtrisë austro–hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kishte qëndruar aty edhe me mbarimin e kësaj lufte, duke u marrë me studimin e historisë, gjuhës e kulturës shqiptare. Fliste shumë mirë shqip dhe kishte kontakte me personalitete të jetës politike, shkencore e kulturore shqiptare. Në vitin 1923 kishte punuar edhe si atashe tregtar në ambasadën e parë gjermane në Tiranë. Mbi bazën e këtij propozimi, që në fund të gushtit 1943 Scheiger do të shkonte menjëherë me mision të veçantë në Kosovë, me detyrën që përmes premtimeve të ndihmës gjermane për realizimin e pavarësisë dhe bashkimit kombëtare, të rekrutonte sa më shumë figura të jetës politike e shoqërore të Shqipërisë së Re. Ai do të lëvizte kryesisht në këmbë, me uniformë ushtarake, aparat marrës– dhënës (Funkgerate) dhe sipas disa autorëve gjermanë, kishte me vete edhe rreth gjashtë kilogramë monedha ari.
ÇËSHTJA SHQIPTARE
Paralelisht me këto masa, në fund të gushtit 1943, në Shtabin Qendror të Hitlerit në Berlin do të bëheshin disa ndryshime mjaft të rëndësishme të karakterit organizativ. Ndër të tjera, ambasadori Karl Ritter, i afërt me Ribbentropin dhe drejtues i rëndësishëm i Ministrisë së Jashtme gjermane (kishte marrë pjesë në përgatitjen e Anschlussit me Austrinë në mars 1938; Marrëveshjen famëkeqe të Mynihut të 30 shtatorit 1938 për t’i dorëzuar Hitlerit krahinën e Sudeteve; Marrëveshjen Molotov – Ribbentrop të 24 gushtit 1939 për ndarjen e Polonisë dhe të territoreve të tjera në Europën Veriore, e të tjerë), duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare gjatë diskutimit të saj në Shtabin Qendror. Po kështu, në këtë Shtab do të paraqitej për çështjen shqiptare edhe diplomati e oficeri i lartë gjerman Franz von Sonnleithner (një vit më vonë, më 20 gusht 1944, ky oficer i lartë do të ishte i pranishëm, por pa u dëmtuar, në atentatin me shpërthimin e bombës me kurdisje që iu bë Hitlerit në Berlin, në një dhomë ku ai dhe disa anëtarë të Shtabit të tij po diskutonin planet e Wehrmachtit). Përveç sa më sipër, më 24 gusht 1943, Hitleri do të emëronte austriakun dhe diplomatin nazist Hermann Neubacher si të Dërguar të Veçantë të Rajhut për Europën Juglindore, me zyrë qendrore në Beograd, por që duhej të ndiqte me përparësi çështjen shqiptare.
Me këtë cilësi Neubacher do të mbërrinte në Beograd më 8 shtator 1943 dhe të nesërmen, më 9 shtator, do t’u përgjigjej me një telegram sekret disa çështjeve të ngritura një ditë më parë nga Ribbentrop, të cilat i ishin përcjellë nga Berlini, përmes ambasadorit Karl Ritter. Në këtë përgjigje, ndër të tjera Neubacher thekson: “1)Nesër do nisem nga Beogradi në Tiranë, pasi aeroporti është tashmë në dorën tonë, pavarësisht hezitimit të Kryekomandantit të trupave italiane për të dorëzuar armët. Megjithatë, për siguri ka shkuar aty sot edhe një kompani parashutistësh. Parashutistë të tjerë do të jenë aty nesër. Kam rënë dakord me Gjeneralin von Weich për të qenë në çdo moment i gatshëm për të na mbështetur në rast nevoje…. 2)Sot bisedova me disa shqiptarë të besueshëm mbi situatën politike në vend. Ata ishin entuziastë dhe e vlerësonin ardhjen tonë si moment historik për kombin e tyre. Gjithashtu mbështesnin… deklaratën time se suksesi i kombit shqiptar mund të garantohet vetëm përmes një bashkëpunimi të ngushtë e të sinqertë me NE …. 3)Për shkak të deklaratës së bërë nga Komandanti i Forcave gjermane në Ballkan që menjëherë pas pushtimi edhe në Shqipëri e Malin e Zi, i gjithë pushteti ekzekutiv të merret në dorë nga ushtria gjermane, pasi diskutova edhe me Gjeneralin von Weichs.., unë rekomandoj që këto dy raste duhen trajtuar në mënyra të ndryshme. Në Shqipëri duhet të heqim dorë nga krijimi i mjaft mekanizmave ushtarakë, duke ua lënë shumicën e tyre pushtetit vendas. Parulla politike ‘Shqipëria e Pavarur’ nuk duhet të cenohet nga skema politike e zakonshme e krijimit të administratës sonë ushtarake..”; 4)Për arsye politike jam kundër idesë që për sigurinë, trupat gjermane të bashkëpunojnë me forcat bullgare (bëhet fjalë për zonën e Mitrovicës e Podujevës – shënimi ynë). Kam vënë në dukje se ky bashkëpunim duhet të bëhet me forcat shqiptare… dhe 5) Von Scheiger ka mbërritur sot nga Kosova në Beograd. Nesër do më shoqërojë mua me avion për në Tiranë”.
Ndërkaq, në Itali ishin bërë mjaft ndryshime. Vetëm pas 5 ditëve nga fillimi i zbarkimit Aleat në Sicili, më 15 korrik 1943, Këshilli Fashist italian do të shkarkonte Musolinin, i cili do të izolohej (internohej) më pas me urdhër të Viktor Emanuelit. Kryeministër i Qeverisë Fashiste do të bëhej Marshalli Pietro Badoglio, i cili do të hynte menjëherë në bisedime për armëpushim me Forcat Aleate (anglo-amerikane), fillimisht në rrugë diplomatike në Lisbonë të Portugalisë e më pas në nivel ushtarak, në fshatin apo qytezën siciliane Cassibile, në jug të Sirakuzes. Në këtë qytezë do të nënshkruhej më 3 shtator 1943 edhe Marrëveshja e Armëpushimit e Cassibiles (Waffenstillstand von Cassibile). Fillimisht u vendos që kjo të mbahej e fshehtë. Megjithatë, ajo do bëhej e njohur zyrtarisht vetëm 5 ditë më vonë, më 8 shtator 1943, përmes një deklarate të bërë në orën 18.00 në Radio ‘Algier’ nga Kryekomandanti i Forcave Aleate, Gjenerali amerikan Dweit Eisenhower dhe pak më vonë, më 19:42, edhe nga Kryeministri Badoglio. Përveç armëpushimit, marrëveshja parashikonte edhe daljen e Italisë nga Koalicioni i Boshtit Qendror. Për këto arsye, shpesh 8 shtatori 1943 konsiderohet si dita e kapitullimit të Italisë Fashiste. Hitleri do të reagonte menjëherë. Pasi pushtoi që të nesërmen më 9 shtator Shqipërinë, një ditë më vonë, më 10 shtator 1943, me operacionin e koduar “Çështja e Boshtit” (Unternehmen Achse) pushtoi Romën dhe Italinë Veriore, nën drejtimin e Divizionit Elitë të Komanduar nga Gjenerali i njohur gjerman Erwin Rommel. Po ashtu, më 12 shtator 1943, ai urdhëroi zhvillimin e “Operacionit Eiche”, për të liruar nga izolimi Musolinin. Ai do të takonte menjëherë Hitlerin dhe nën “regjinë” e tij, më 23 shtator do të formonte qeverinë e re kukull, të “Republikës Sociale Italiane”. Kjo qeveri do të binte formalisht me 25 prill 1944. Tri ditë më vonë, më 28 prill, Musolini dhe e dashura e tij, Claretta Petacci, do të kapeshin të maskuar në afërsi të kufirit, duke ikur me kamion ushtarak drejt Gjermanisë. Të dy u ekzekutuan menjëherë nga partizanet italiane.
Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri situata ishte kaotike. Menjëherë pas kapitullimit të Italisë, që në darkën e 8 shtatorit, Shefi i Shtabit Koordinues të Wehrmachtit në Ballkan, Gjenerali Hans Bessek, nxitoi t’i kërkonte komandantit të trupave italiane në vendin tonë, Gjeneralit Ezio Rosi, dorëzimin dhe mbajtjen nën mbikëqyrje të të gjithë ushtarëve dhe oficerëve italianë që ndodheshin në Shqipëri. Gjenerali italian do të hezitonte në fillim, por më pas u detyrua të jepte pëlqimin dhe kështu, më 9 shtator 1943, trupa të shumtë gjermane nga Jugosllavia e Greqia marshuan drejtë Shqipërisë, duke vënë menjëherë nën kontroll të posaçëm bregdetin dhe aeroportet shqiptare. Fati i ushtarëve italianë do të ishte mjaft dëshpërues. Pjesa më e madhe e tyre do të dorëzonin armët dhe do të izoloheshin nga forcat gjermane. Një pjesë tjetër e konsiderueshme do t’i drejtohej Sarandës, me shpresën se do ta kishin më të lehtë për të kaluar në Itali. Shumica e tyre do të dorëzonin edhe armët te forcat partizane, me mendimin se do të ndihmoheshin prej tyre për të kaluar në anën tjetër të Otrantos. Me urdhër të Hitlerit u dha porosia që raste të tilla të identifikoheshin sa më shpejt dhe personat përgjegjës të pushkatoheshin. Kjo tragjedi e ushtarëve italianë do të përbënte më vonë edhe një prej akuzave me të cilat u ballafaquan në Procesin e Nyrenbergut disa nga drejtuesit nazistë (Procesi për masakrat në Europën Juglindore). Së fundi, një pjesë e vogël e trupave italiane do t’u bashkoheshin partizaneve, duke krijuar Batalion “Antonio Gramshi”.
Panorama.al
