
Shqipëria ishte ajo që ishte. Të reformoje një administratë tipike orientale të korruptuar deri në qelizë, dukej një mision i pamundur. Në rrugët e Tiranës, ku s’kishe ku të hidhje mollën, shihje plot nëpunës, ushtarë dhe oficerë duke u sjellë kot, që të gjithë të paguar nga shteti. Nëpër zyra, një duzinë nëpunësish rrihnin ujë në havan për një punë që kërkonte jo më shumë se dy veta. Kafenetë ishin vendi ku bëheshin pazaret e zyrtarëve, ku hartohej politika e brendshme dhe e jashtme e shtetit. Hatëri, rryshfeti dhe miqësia zgjidhnin çdo problem, privat ose zyrtar. Mjerë ai që nuk kishte miq! Sipas një përshkrimi të Mid’hat Frashërit, në Parlament, në zyra, në kafene, në mbledhje, te miqtë, nuk dëgjoje veçse fjalë dhe ide gjithnjë të dështuara, kurdoherë të përzjera me inat, pasion, smirë dhe zili, mbase fare rrallë ose kurrë të thëna me qëllim të dlirtë.Në atë kohë, Kryeministria dhe Ministria e Jashtme ndodheshin në të njëjtën ndërtesë me Parlamentin, aty ku sot është Akademia e Shkencave. Pak më tutje ishte Ministria e Brendshme e Zogut. Ndërtesat ruheshin tek hyrja nga burra trupmëdhenj me pushkë në krah. Brenda atyre mureve rrinin deputetët dhe ministrat, ata që duhej ta kishin mendjen dhe trupin tek interesat e Shqipërisë së varfër. Të gjashtë anëtarët e kabinetit dhe kreu i tyre, Ypi, formonin një ekip ekzotik, që një i huaj do ta kishte të vështirë ta karakterizonte, sepse ishte një përzierje e çuditshme mes orientales dhe oksidentales.Me përjashtim të Tatzatit shtatvogël me uniformë ushtarake, shumica ishin me kostum e kollare, në dorë mbanin bastunin ndërsa në kokë kësulën prej astrakani, që kishte zëvendësuar fezin turk. Noli dallohej për nga kapela e stilit country gentleman hat që e bënte të dukej edhe më i shkurtër. Ypi, me kokën e vogël rrumbullake ku mbante rrasur qylafin gati deri te vetullat, dukej si karikaturë prapa mustaqes së trashë dhe syzeve pa skelet. I goditur ishte përshkrimi që i bënte Ypit Mid’hat Frashëri: Kësula mbi vetullat, vetullat mbi syzet, syzet mbi hundën dhe hunda përzier me buzët e me mjekrën, ai dukej sikur një grusht i dhënë majë kokës i kishte shtypur turinjtë dhe e kishte shkurtuar, përmbledhur.Të gjithë visheshin mirë, por askush nuk ia kalonte Ahmet beut për nga kujdesi që i kushtonte paraqitjes, e cila ishte në harmoni me trupin e tij të hollë e të gjatë, me flokët e verdha, me fytyrën e bardhë e të pastër dhe me duart delikate. Për të pirë kafe, ministrat uleshin zakonisht në një qoshk të vogël, në mes të një bahçeje të lënë pas dore, përballë Kazermës Skanderbeg, ndërsa drekën dhe darkën e hanin në Restorant Internacional. Para se të binte muzgu, ata dilnin të gjithë bashkë për shëtitjen e mbrëmjes. Ecnin në krah të njëri-tjetrit, zakonisht të heshtur dhe me duart pas shpine. Prapa tyre vinin shoqëruesit, edhe ata në varg. Nga konaku i qeverisë, shkëlqesitë e tyre kalonin përpara Shkollës Teknike Amerikane (aty ku sot ndodhet monumenti i Azem Hajdarit), vazhdonin në drejtim të Xhamisë së Et’hem Beut, hynin në rrugën e pazarit në mes të dyqaneve të vogla dhe merrnin drejtimin e Rrugës së Durrësit. Pastaj ktheheshin nga kishin ardhur. Ndiqnin të njëjtin ritual të mbrëmjes si edhe turma e madhe e burrave të Tiranës, nga të cilët merrnin përshëndetjen “Ju ngjatë jeta” sa herë u kalonin pranë. Qëllonte që pas tyre të ecte ndonjë kope e vogël bagëtish. Për raste të tilla, Noli, që njihej si shakaxhiu i grupit, kishte një shprehje: “Tirana është një qytet i veçantë. Në rrugët e saj shkojnë bashkë ministrat, deputetët, populli dhe bagëtia”.Pas darke, meqenëse argëtimet e tjera ishin të pakta, ministrat luanin bixhoz, herë tek Eshref Frashëri, herë tek Zija Toptani, apo tek Tatzati, Hysen Vrioni e Sejfi Vllamasi. Zogu ishte i vetmi që nuk merrte pjesë. Ndërkaq, nuk dihej që ministri i ri, Noli, të luante bixhoz. Ai ishte i dhënë pas gjërave më të rëndësishme në jetë, por i pëlqente të hante mirë dhe të ulej për ndonjë shishe verë në mbrëmje. (Nga libri REBELI – Ilir Ikonomi)Në foto, qeveria Ypi. Nga e djathta: Kolë Thaçi, Hysen Vrioni, Ahmet Zogu, Xhafer Ypi, Ismail Tatzati, Fan Noli, Spiro Jorgo Koleka, Mehmet Konica (ministër në Londër).
