
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në raport me popullsinë, asnjë vend tjetër europian nuk ka humbur më shumë banorë drejt Bashkimit Europian sesa Shqipëria
Shqipëria rezulton vendi me emigracionin më të lartë në Evropë në raport me popullsinë, duke shënuar një rekord shqetësues që nxjerr në pah përmasat reale të largimit të qytetarëve nga vendi. Edhe pse renditet jashtë dhjetëshes së parë për numër absolut emigrantësh, të dhënat e normalizuara e vendosin Shqipërinë në krye të listës europiane.
Sipas statistikave të publikuara nga Eurostat për vitin 2024, rreth 550 mijë shtetas shqiptarë jetojnë aktualisht në vendet e Bashkimit Europian. Numri real vlerësohet të jetë edhe më i lartë, pasi në këto të dhëna nuk përfshihet Greqia, ku sipas burimeve të ndryshme jetojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë të tjerë.
Me një popullsi rezidente prej rreth 2.36 milion banorësh, Shqipëria arrin në rreth 230 emigrantë për çdo 1,000 banorë, edhe pa përfshirë Greqinë. Nëse llogaritet edhe diaspora shqiptare në shtetin fqinj, treguesi rritet ndjeshëm, duke shkuar në rreth 466 emigrantë për 1,000 banorë, çka do të thotë se afërsisht një në dy shqiptarë jeton në Bashkimin Europian.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mbetet dukshëm përpara. Kosova regjistron rreth 218 emigrantë për 1,000 banorë, Maqedonia e Veriut 107, Bosnja dhe Hercegovina 125, ndërsa Serbia 68. Edhe këto vende shfaqin nivele të larta emigracioni, por asnjëra nuk i afrohet ritmeve të Shqipërisë.
Ndërkohë, shtetet që kryesojnë listën në numër absolut emigrantësh, si Ukraina, Turqia dhe Maroku, paraqesin përqindje shumë më të ulëta kur shifrat krahasohen me popullsinë e tyre. Ukraina ka rreth 2.6 milion shtetas në BE, por kjo përkthehet në rreth 67 emigrantë për 1,000 banorë, ndërsa Turqia dhe Maroku mbeten nën 50 për 1,000 banorë.
Të dhënat e Eurostat nxjerrin në pah një realitet të rëndë për Shqipërinë, duke reflektuar një emigracion masiv dhe afatgjatë që po ndikon drejtpërdrejt në strukturën demografike, fuqinë punëtore dhe perspektivën e zhvillimit të vendit. Fenomeni po shndërrohet në një sfidë kombëtare, me pasoja që pritet të ndihen edhe më fort në vitet në vijim
