
Sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore për vitin 2024, Shqipëria renditet ndër vendet më problematike në Evropë për sigurinë dhe zbatimin e të drejtës së pronës. Me një indeks prej vetëm 0.80 (në një shkallë nga 0 në 1), vendi pozicionohet i dyti më problematik pas Portugalisë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian arrin në 0.93.
Ky rezultat tregon se sistemi shqiptar i pronësisë mbetet i brishtë dhe i paqëndrueshëm, i shoqëruar nga mungesa e transparencës, proceset e gjata gjyqësore dhe pasiguria ligjore. Sipas raportit, problemet e trashëguara nga periudha e tranzicionit, fragmentimi i regjistrave dhe vonesat në verifikimin e titujve të pronës janë ndër arsyet kryesore që pengojnë garantimin e të drejtës së pronës.
Në rajon, Shqipëria qëndron pas Maqedonisë së Veriut (0.81) dhe Bosnjë-Hercegovinës (0.82), ndërsa Serbia (0.88) dhe Mali i Zi (0.90) janë përmirësuar ndjeshëm falë reformave gjyqësore dhe digjitalizimit të plotë të regjistrave të pronës.
Në kontrast të fortë, vendet e zhvilluara të Evropës, si Gjermania (0.97), Islanda (0.96) dhe Spanja (0.95), ofrojnë standardet më të larta të sigurisë ligjore, me sisteme moderne që garantojnë çdo transaksion përmes teknologjisë dhe gjykatave efikase.
Ekspertët vlerësojnë se diferenca prej gati 20 pikësh midis Shqipërisë dhe vendeve të BE tregon nevojën urgjente për reforma të thelluara ligjore e institucionale, në mënyrë që e drejta e pronës të mos mbetet peng i burokracisë dhe pasigurisë shtetërore.