
Skandalet e njëpasnjëshme, denoncimet e Arben Ahmetajt dhe protesta e Adriatik Lapajt përballë një muri heshtjeje mediatike që ngre dyshime serioze për lirinë e informacionit në Shqipëri
Në Shqipëri kanë shpërthyer një sërë skandalesh të rënda pas denoncimeve publike të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati. Pas këtyre deklarimeve, Prokuroria e Posaçme SPAK ka ndërmarrë hapa konkretë që sinjalizojnë një përpjekje për të goditur një sistem të tërë abuzimesh dhe grabitjesh të ndërtuara ndër vite.
Menjëherë pas këtyre zhvillimeve, kandidati për deputet dhe aktivisti Adriatik Lapaj ka nisur protesta të vazhdueshme përpara Kryeministria, së bashku me mbështetësit e tij. Protesta që synon të ngrejë zërin kundër korrupsionit, pandëshkueshmërisë dhe kapjes së shtetit është përballur me pengesa të vazhdueshme nga policia, e cila nuk lejon zhvillimin normal të tubimeve, ndërsa qeveria përpiqet hapur ta shtypë këtë lëvizje qytetare.
Ky realitet, fatkeqësisht, nuk është më i pazakontë në Shqipëri. Maxhoranca e ka kthyer në praktikë të përsëritur shtypjen e protestave, injorimin e qytetarëve dhe mbytjen e çdo reagimi që sfidon pushtetin. Por ajo që bie më shumë në sy dhe që përbën një alarm serioz është roli i mediave.
Përveç disa portaleve online, pothuajse asnjë media kombëtare nuk pasqyron protestat e Adriatik Lapajt. Dhe këtu nuk bëhet fjalë për një individ të vetëm, por për një frymë rezistence dhe revoltë qytetare kundër një qeverie të mbërthyer nga skandalet dhe akuzat për korrupsion. Heshtja mediatike është totale dhe e dyshimtë.
Edhe më shqetësuese është fakti se as mediat që tradicionalisht konsiderohen pranë opozitës nuk e pasqyrojnë këtë protestë, pavarësisht se problemi kryesor i vendit mbetet maxhoranca aktuale. Kjo sjellje ngre pikëpyetje të forta mbi pavarësinë reale të mediave dhe mbi interesat që ato zgjedhin të mbrojnë.
Pse asnjë televizion kombëtar nuk e nxjerr në edicionet e lajmeve protestën më të drejtë dhe më të sinqertë të kohëve të fundit në Shqipëri. Pse një reagim qytetar kundër korrupsionit trajtohet si i padukshëm. Kjo heshtje nuk është neutrale, por një akt i drejtpërdrejtë mbrojtjeje të status quo-së dhe një goditje ndaj demokracisë.
Kur media zgjedh të heshtë, ajo bëhet pjesë e problemit. Dhe sot, në Shqipëri, heshtja mediatike po flet më fort se çdo protestë.
Nga Borea Lisi
