
Durrësi në situatë kritike, probleme serioze edhe në Lezhë, Kukës, Tiranë dhe Fier
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së kaluar kanë krijuar një situatë të rënduar në disa qarqe të Shqipërisë, duke sjellë përmbytje, bllokim rrugësh dhe evakuim familjesh. Qyteti më i prekur mbetet Durrësi, ku moti i keq ka paralizuar jetën urbane në disa zona.
Në lagje si Spitalla, Nishtulla dhe ish-Këneta, niveli i ujit ka arritur deri në 50 centimetra, duke i bërë rrugët të pakalueshme dhe duke izoluar disa zona. Dhjetëra automjete janë lënë në mes të rrugës për shkak të defekteve të shkaktuara nga uji, ndërsa qarkullimi urban është pothuajse i pamundur. Si pasojë e situatës, mësimi është pezulluar në shumicën e shkollave të qytetit.
Përmbytjet kanë detyruar edhe evakuimin e disa familjeve. Deri tani raportohet se tetë familje janë nxjerrë nga banesat e tyre, tre prej tyre nga Shijaku. Një pjesë e të evakuuarve janë sistemuar në ambientet e Konvaleshencës së Ministrisë së Brendshme, ndërsa strukturat e emergjencës vijojnë monitorimin për raste të tjera të mundshme.
Probleme serioze janë regjistruar edhe në autostradën Durrës–Tiranë, ku prania e ujit në disa segmente ka shkaktuar bllokime dhe defekte të shumta automjetesh. Edhe në Tiranë, reshjet e dendura kanë rënduar ndjeshëm trafikun dhe transportin urban.
Situata mbetet shqetësuese edhe në Lezhë, ku është shënuar rritje e ndjeshme e niveleve të lumenjve Drin dhe Mat, duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore dhe oborreve në disa zona. Në Kukës, dalja e përrenjve nga shtrati ka përmbytur segmente rrugore dhe ka izoluar përkohësisht disa zona rurale.
Reshje intensive dhe stuhi ere janë raportuar edhe në Fier, megjithatë deri në këto momente nuk janë evidentuar përmbytje apo dëme materiale.
Ndërkohë, për shkak të rritjes së prurjeve në lumi Drin, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, me një sasi prej rreth 700 metra kub ujë në sekondë, proces i cili po monitorohet nga specialistët për të shmangur rrezikun për zonat përreth.
Moti i keq ka ndikuar edhe në aktivitetet tradicionale, pasi ceremonia e hedhjes së Kryqit në det në Durrës është anuluar për herë të parë pas shumë vitesh, për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, ndërsa situata vijon të jetë në monitorim të vazhdueshëm në të gjithë territorin e vendit.
