

Vendimi i 18 dhjetorit ndëshkon qeverinë për dështimin në zbatimin e rregullave europiane në sektorin energjetik
Qeveria shqiptare ka marrë një goditje të fortë nga Bashkimi Europian, pasi është skualifikuar nga Ministeriali i Energjisë i BE-së, me vendim të miratuar më 18 dhjetor 2025 në Vjenë. Përjashtimi vjen si pasojë e dështimit të Shqipërisë për të përmbushur detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë dhe legjislacioni europian në sektorin energjetik.
Sipas vendimit të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, autoritetet shqiptare nuk kanë miratuar dhe zbatuar në afat kuadrin ligjor dhe rregullator të kërkuar për funksionimin e tregut të energjisë elektrike, menaxhimin e krizave dhe integrimin në tregun europian. Shqipëria do të duhet të raportojë gjatë gjithë vitit 2026 për hapat korrigjues që do të ndërmarrë, ndërsa paralajmërohet se nëse shkeljet nuk adresohen deri më 1 korrik 2026, mund të nisin procedura sanksionuese.
Përgjegjësia politike për këtë situatë i atribuohet drejtpërdrejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku. Tre projektligje madhore të këtij dikasteri konsiderohen nga BE si burim kryesor i mospërputhjes me rregullat europiane: TEC-i i Roskovecit, anijet energjetike në Vlorë dhe projektet e interkonjeksionit europian të energjisë. Balluku rezulton gjithashtu zyrtarisht e pandehur nga SPAK për disa akuza penale, çka e rëndon më tej situatën politike.
Vendimi i Komunitetit të Energjisë thekson se Shqipëria ka shkelur direktivat dhe rregulloret kyçe të BE-së për tregun e brendshëm të energjisë, përgatitjen ndaj rreziqeve, alokimin e kapaciteteve, menaxhimin e kongjestionit, balancimin dhe funksionimin e sistemeve të transmetimit. Po ashtu, autoritetet shqiptare nuk kanë njoftuar Sekretariatin për masat e marra, duke shkelur vendime të mëparshme të viteve 2021 dhe 2022.
Përjashtimi nga Ministeriali i Energjisë shihet si një shuplakë e rëndë politike për qeverinë e Edi Ramës, në një sektor strategjik që lidhet drejtpërdrejt me integrimin europian, sigurinë energjetike dhe financat publike. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe sinjalizon se toleranca e BE-së ndaj devijimeve në politikat energjetike shqiptare ka arritur kufirin.
