Në nder të ish-kryeministrit Fatos Nano, dita e diel është shpallur Ditë Zie Kombëtare. Federata Shqiptare e Futbollit njofton shtyrjen e të gjitha ndeshjeve të planifikuara për 2 nëntor në kampionatet kombëtare.
Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, qeveria shqiptare ka shpallur 2 nëntorin Ditë Zie Kombëtare. Në shenjë respekti për figurën e tij politike, flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore, ndërsa ngjarjet publike festive do të pezullohen.
Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se për këtë arsye të gjitha ndeshjet e planifikuara për të dielën në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, Kategorinë e Tretë, kampionatet e vajzave dhe të moshave do të shtyhen për ditët në vijim.
Në “Abissnet Superiore”, ndeshjet e së dielës do të luhen të hënën në të njëjtin orar, ndërsa ato të së hënës do të spostohen për të martën në orën 16:00. Po kështu, ndeshjet e Kategorisë së Parë do të zhvillohen të hënën në orën 14:00, ndërsa ato të Kategorisë së Dytë të Grupit B do të luhen të hënën në orën 13:00.
FSHF ka bërë të ditur se në të gjitha ndeshjet e kampionateve do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të Fatos Nanos, si shenjë nderimi ndaj kontributit të tij në jetën politike të vendit.
