
41-vjeçari kosovar u sulmua brutalisht teksa po përpiqej të mbronte banorët dhe pronën e pallatit ku punonte
Një episod i dhunshëm në Brooklyn të New York ka përfunduar tragjikisht për Burim Havollin, 41 vjeç, me origjinë nga Kosova, i cili punonte si mbikëqyrës në një ndërtesë apartamentesh. Ngjarja ndodhi në hollin e pallatit, ku ai u përball me një person të dyshuar për vjedhjen e pakove.
Mediat amerikane raportojnë se Havolli tentoi të ndalonte hajdutin, por u sulmua rëndë gjatë konfrontimit. Policia dhe ambulanca mbërritën menjëherë në vendngjarje, ndërsa 41-vjeçari u dërgua në Spitalin e Qarkut Kings në gjendje kritike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai ndërroi jetë pak më vonë si pasojë e plagëve të marra.
Banorët e ndërtesës janë tronditur nga ngjarja, duke e përshkruar Havollin si njeri punëtor, të sjellshëm dhe tepër të respektuar në komunitet. Të afërmit e tij, po ashtu, kanë mbetur të shokuar nga fakti se ai u vra pikërisht teksa po kryente detyrën dhe po mbronte vendin e punës.
Sipas dëshmitarëve, zona ka pasur rritje të incidenteve kriminale kohët e fundit, gjë që ka shtuar frikën dhe pasigurinë mes komunitetit lokal.
Autoritetet e NYPD po punojnë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të motivit të sulmit fatal që i mori jetën Burim Havollit.
