
I dënuar për vjedhje dhe nën mbikëqyrje elektronike, 31-vjeçari pret azilin ndërsa publikon pamje nga klubet VIP
Problemet e përsëritura me ligjin në Mbretërinë e Bashkuar nuk duket se e kanë ndalur Dorian Pukën të vazhdojë një jetë luksoze në Londër, pavarësisht se ndodhet nën masa kufizuese dhe mbikëqyrje elektronike. Sipas mediave britanike, 31-vjeçari shqiptar është dëbuar dy herë nga Britania për vepra penale të lidhura me vjedhjen, por aktualisht ndodhet në liri me kusht, në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tij për azil.
Raportimet e shtypit anglez bëjnë me dije se Puka është rikthyer ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar pas dëbimeve dhe ka vijuar aktivitetin kriminal deri në momentin e ndalimit nga policia. Kërkesa për azil, e depozituar në vitin 2020, ka pezulluar përkohësisht procedurat e largimit nga vendi, duke i mundësuar qëndrimin në territorin britanik.
Ndërkohë, në rrjetet sociale, ai shfaqet duke frekuentuar klube nate elitare në zonën Mayfair të Londrës, pranë automjeteve luksoze dhe duke ekspozuar pasuri të shtrenjta. Në pamjet e publikuara, Puka shihet duke tymosur në ambiente VIP, duke shëtitur një mace ekzotike me vlerë të konsiderueshme dhe duke treguar koleksionin e orave luksoze, ku përfshihet edhe një Rolex me vlerë dhjetëra mijëra paundë.
Që prej vitit 2023, ai ndodhet në liri me kusht dhe mban një byzylyk elektronik, ndërsa pret vendimin përfundimtar të autoriteteve britanike mbi statusin e tij ligjor. Rasti ka nxitur reagime dhe kritika të forta në Britani, duke u përdorur si shembull i dështimeve në sistemin e azilit dhe kontrollit të emigracionit.
Një zëdhënës i Home Office ka deklaruar se qeveria britanike po ndërmerr reforma në sistemin e migracionit dhe apelimit, me synimin për të përshpejtuar dëbimet dhe për të parandaluar abuzimet me ligjin e azilit. Sipas mediave vendase, raste të tilla kanë rritur presionin publik për masa më të forta dhe kontroll më rigoroz ndaj personave me precedentë penalë.
