Meltjan Isufi, 34 vjeç, drejtonte një rrjet të mirëorganizuar që shpërndante rreth 800 doza kokaine në ditë në qytetin Chester të Anglisë, përpara se të arrestohej nga policia britanike.
Një shtetas shqiptar është dënuar me gjashtë vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shpall fajtor për trafik droge dhe përdorim dokumentesh të falsifikuara. 34-vjeçari Meltjan Isufi u arrestua në Chester, pas një hetimi të gjerë që zbuloi një rrjet të përditshëm shpërndarjeje kokaine në qytet dhe zonat përreth.
Hetimet nisën më 23 dhjetor 2024, kur policia britanike arrestoi një person të dyshuar dhe gjatë kontrollit në banesën e tij gjeti prova që e lidhën me aktivitetin e Isufit. ADN e shqiptarit u identifikua në një nga paketimet e drogës, çka i dha hetimit një drejtim të qartë.
Autoritetet zbuluan më pas se Isufi përdorte një numër telefoni të koduar për komunikim me klientët, duke operuar nën pseudonimin “Anton”. Bastisja në banesën e tij më 19 shtator 2025 rezultoi me gjetjen e një telefoni që përmbante kontaktet e mbi 800 klientëve të rregullt, sasi kokaine të gatshme për shitje, 17,585 paund cash dhe një kartë identiteti greke të falsifikuar.
Policia e Cheshire-s tha se linja e shpërndarjes së kokainës e drejtuar nga Isufi ishte “mirëstrukturuar, efikase dhe operonte çdo ditë pa ndërprerje”. 34-vjeçari, i cili kishte hyrë ilegalisht në Britani pas një dëbimi të mëparshëm për trafik droge, pranoi fajësinë për furnizim me lëndë narkotike, hyrje të paligjshme në territor, pastrim parash dhe posedim dokumentesh të rreme.
Detektivi Richard Connolley deklaroi se rasti i Isufit tregon vendosmërinë e policisë për të luftuar trafikun ndërkombëtar të drogës. Sipas tij, rrjeti që ai drejtonte kishte krijuar një sistem shpërndarjeje që furnizonte konsumatorët çdo ditë, por hetimi arriti ta çmontojë plotësisht.
Isufi do të vuajë një dënim gjashtëvjeçar në burgun e Chesterit, ndërsa autoritetet britanike kanë paralajmëruar se pas përfundimit të dënimit ai do të dëbohet sërish nga Mbretëria e Bashkuar.
