
Pas 26 vitesh arrati, 44-vjeçari Kamer Duhanxhiu zbarkohet në Rinas nën masa të rrepta sigurie dhe nis procedura e transferimit drejt shtetit italian.
Një operacion i koordinuar mes autoriteteve shqiptare, amerikane dhe italiane ka çuar në kapjen dhe ekstradimin e një shtetasi shqiptar të dënuar me 30 vite burg në Itali. Kamer Duhanxhiu, 44 vjeç, ishte në kërkim që prej vitit 1999 për një vrasje të ndodhur në Asti dhe një tentativë vrasjeje, për të cilat kishte marrë një dënim të formës së prerë.
Prej vitesh ai kishte qëndruar në Shtetet e Bashkuara, ku jetonte i fshehur në Florida, derisa u arrestua këtë vit nga autoritetet amerikane falë shkëmbimit të informacionit mes Policisë Shqiptare, Policisë Italiane, Interpolit dhe agjencive të sigurisë në SHBA, përfshirë Shërbimin Diplomatik të Sigurisë dhe ICE.
Më 19 nëntor, Duhanxhiu u deportua drejt Shqipërisë me një fluturim çarter dhe u ndalua menjëherë në aeroportin Nënë Tereza, duke iu ekzekutuar urdhri i arrestit dhe kartela e kuqe e Interpolit. Pas procedurave të para, autoritetet shqiptare kanë nisur procesin e ekstradimit të tij drejt Italisë, ku pritet të vuajë dënimin 30-vjeçar.
Policia e Shtetit vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar që bëri të mundur kapjen e një personi të kërkuar prej më shumë se dy dekadash, duke e cilësuar operacionin një shembull të efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe arratisjeve afatgjata.
