

U kap në Angli me drogë dhe mesazhe që provonin tregtinë, gjykata e Staffordshire e shpalli fajtor si pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar
Një tjetër shqiptar ka rënë në prangat e drejtësisë britanike, pasi u kap duke luajtur një rol kyç në trafikun e kokainës në Midlands. Bëhet fjalë për Klajdi Mehallën, i cili u arrestua në prill të këtij viti në qytetin Rugeley, pasi policia ndaloi makinën ku udhëtonte.
Në fillim, Mehalla tentoi ta justifikonte drogën e gjetur duke e paraqitur si sasi për përdorim personal, por telefonata dhe mesazhet në celularin e tij zbuluan të kundërtën, reklamën për shitjen e kokainës dhe kanabisit, që e lidhën drejtpërdrejt me një grup të strukturuar shqiptar të krimit të organizuar.
Hetimet e Policisë së Staffordshire nxorën në pah se Mehalla ishte angazhuar për të shpërndarë drogën tek klientët, duke vepruar si hallkë e rëndësishme në zinxhirin e furnizimit. Përveç kësaj, ai rezultoi të përdorte një automjet të siguruar në emër të një personi tjetër.
Më 23 maj, Mehalla i pranoi të gjitha akuzat: posedim me qëllim shpërndarjen e kokainës, përfshirje në tregtinë e kokainës dhe kanabisit, si dhe përdorim automjeti pa sigurim. Tre muaj më vonë, më 26 shtator, Gjykata e Kurorës Stafford e dënoi me 3 vite e gjysmë burg.
Autoritetet britanike theksuan se ky dënim është pjesë e një fushate më të gjerë kundër grupeve kriminale. “Që prej majit 2023, mbi 1 mijë persona janë arrestuar në Staffordshire për veprimtari të lidhura me drogën dhe armët,” -deklaruan zyrtarët e policisë.