
Arrestohet 30-vjeçari Enea Pitani, shpallet në kërkim bashkëpunëtori dhe procedohen 4 punonjës të OSHEE
Një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura është goditur në Sarandë, në kuadër të operacionit policor të koduar Green flat. Si rezultat i ndërhyrjes së policisë, janë sekuestruar 260 bimë narkotike, 26.6 kilogramë lëndë narkotike kanabis si dhe pajisje elektrike të përdorura për kultivimin dhe përpunimin e tyre me qëllim shitjen.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë 30 vjeçarin Enea Pitani, i cili kishte përshtatur një apartament për ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale. Po ashtu, është identifikuar dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, Mikele Qamil.
Hetimet kanë zbuluar edhe përfshirjen e punonjësve të sektorit të energjisë. Për këtë arsye, janë proceduar penalisht katër punonjës të OSHEE Sarandë, të dyshuar për shpërdorim detyre, lidhur me furnizimin e paligjshëm me energji elektrike të ambientit ku kultivoheshin bimët narkotike.
Policia dhe organet e drejtësisë po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
