
Autoritetet de facto të rajonit të kontrolluar nga Moska pretendojnë se 42-vjeçari mblidhte informacione për instalime ushtarake, por nuk paraqesin prova konkrete
Një shtetas britanik 42-vjeçar është arrestuar në rajonin separatist të Abkhazis, i cili ndodhet nën kontrollin e Rusisë, me akuza për spiunazh në dëm të ushtrisë ruse. Lajmi është bërë i ditur nga shërbimet e sigurisë së këtij territori, të cilat pretendojnë se i ndaluari ka vepruar në interes të një shërbimi të huaj inteligjence.
Sipas deklaratës së të ashtuquajturit Shërbim Shtetëror i Sigurisë së Abkhazisë, 42-vjeçari Kuldip Singh dyshohet se ka përdorur kontakte lokale për të mbledhur informacione konfidenciale mbi vendndodhjen e bazave ushtarake, vendbanimeve dhe infrastrukturës strategjike në rajon. Megjithatë, autoritetet nuk kanë paraqitur prova publike që mbështesin këto pretendime.
Abkhazia, e njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Gjeorgjisë, ndodhet de facto nën ndikimin e Moskës dhe shtrihet vetëm pak kilometra larg qytetit rus të Soçit, një zonë strategjike për Rusinë në Detin e Zi. Presidenti rus Vladimir Putin raportohet se zotëron disa rezidenca luksoze në këtë rajon.
I arrestuari u dërgua përpara një gjykate në kryeqytetin rajonal Sukhumi, e cila, sipas mediave lokale, ka urdhëruar largimin e tij nga territori i Abkhazisë. Deportimi pritet të kryhet përmes pikës kufitare Ingur, drejt Gjeorgjisë, dhe jo drejt Rusisë.
Një video e publikuar nga autoritetet tregon Singh duke folur në rusisht, ku ai pretendon se ka punuar për 13 vjet e gjysmë në një njësi inteligjence të policisë së Londrës. Ai shprehet se është larguar nga kjo detyrë për shkak të korrupsionit të brendshëm, duke deklaruar se i gjithë ekipi i tij ka dhënë dorëheqjen për të njëjtat arsye.
Rasti pritet të shtojë më tej tensionet diplomatike mes Londrës dhe Moskës, në një klimë tashmë të rënduar nga lufta në Ukrainë dhe akuzat e ndërsjella për veprimtari spiunazhi dhe destabilizim rajonal.
