
Vendimi për të ndërprerë prerjen e monedhës njëcentëshe u mor për shkak të kostos së lartë të prodhimit, ndërsa qindra miliarda monedha ekzistuese do të mbeten në qarkullim, pa zëvendësim të ri.
Në një moment historik për ekonominë amerikane, Shtetet e Bashkuara kanë prodhuar monedhat e fundit njëcentëshe, duke mbyllur një traditë që daton që nga viti 1793. “Pennyt” e fundit dolën nga fabrika e monedhave në Filadelfia, e njëjta ku është prodhuar çdo monedhë njëcentëshe që prej më shumë se dy shekujsh.
Vendimi për t’i dhënë fund prerjes së qindarkave erdhi pasi Presidenti Donald Trump kërkoi më herët gjatë vitit 2025 që Thesari amerikan të ndalonte prodhimin e tyre, duke e cilësuar si “shpenzim të panevojshëm”. Thesari konfirmoi më pas se prodhimi i monedhave do të ndalej në fillim të vitit 2026.
Arsyeja kryesore është kostoja: prodhimi i një “penny” kushton 3.69 cent, pra gati katërfishin e vlerës së saj. Për krahasim, prerja e një monedhe prej 10 centësh (dime) kushton më pak se 6 cent, ndërsa një çerek dollar kushton rreth 15 cent. Përpjekjet për të përdorur materiale më të lira nuk kanë dhënë rezultate.
Aktualisht, në qarkullim ekzistojnë rreth 240 miliardë monedha njëcentëshe, por shumë prej tyre nuk janë më aktive pasi njerëzit nuk i përdorin dhe nuk i depozitojnë më në banka. Si pasojë, shumë biznese në SHBA tashmë po përballen me mungesë të qindarkave, duke paralajmëruar klientët se nuk do të marrin më kthim të saktë për pagesat me para në dorë.
Në disa shtete, tregtarët kanë filluar të rrumbullakosin shumën përfundimtare të pagesës — ose duke e ulur, ose duke e ngritur në centin më të afërt. Por kjo praktikë po has pengesa ligjore, pasi në të paktën 10 shtete ligji ndalon ndryshimin e çmimeve në varësi të mënyrës së pagesës. Kongresmenja Lisa McClain ka propozuar një projektligj që do t’u lejonte kompanive rrumbullakosjen e transaksioneve për të lehtësuar tregtinë pa qindarka.
Ekspertët thonë se, ndonëse prodhimi i qindarkës po ndërpritet, ajo mbetet ende mjet ligjor pagese, dhe qytetarët mund ta përdorin në transaksione. Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë se nuk ka arsye ekonomike për t’i grumbulluar, pasi vlera e tyre mbetet simbolike.
Kjo është hera e parë që SHBA heq një monedhë që nga viti 1857, kur u ndërpre përdorimi i “gjysmë centit”. Për shumë amerikanë, “penny” mbetet një simbol kulturor i historisë së vendit, por për ekonominë moderne, ajo po konsiderohet një relike e së kaluarës.
