
Maria Sol Messi pëson dëmtime të rënda në një aksident rrugor në Miami dhe i duhet rehabilitim i gjatë
Një lajm shqetësues ka prekur familjen e yllit argjentinas Lionel Messi, pasi motra e tij, Maria Sol Messi, është përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik në Miami dhe ka mbetur e plagosur rëndë.
Sipas raportimeve të mediave argjentinase, Maria Sol, 32 vjeçe, ka humbur kontrollin e automjetit që po drejtonte dhe është përplasur me një mur. Si pasojë, ajo ka pësuar djegie dhe dëmtime serioze në shtyllën kurrizore, përfshirë fraktura të disa vertebrave, si edhe dëmtime në thembër dhe kyçin e dorës.
Gazetari i njohur argjentinas Ángel de Brito bëri me dije se nëna e Messit, Celia Cuccittini, i ka konfirmuar se Maria Sol është jashtë rrezikut për jetën, por do t’i duhet një periudhë e gjatë rehabilitimi. Ajo ka nisur tashmë trajtimin mjekësor në qytetin e Rosarios, në Argjentinë.
Si pasojë e gjendjes shëndetësore, martesa e saj me Julian “Tuli” Arellano, trajner i ekipeve zinxhir të moshave te Inter Miami, e planifikuar për më 3 janar në Rosario, është shtyrë pa një datë të re të caktuar.
Maria Sol Messi ka mbajtur gjithmonë një profil të ulët publik, ndonëse është e angazhuar në modë dhe sipërmarrje, dhe ka punuar më herët edhe në markën e veshjeve të familjes Messi. Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh mes fansave të futbollistit argjentinas, të cilët kanë shprehur mbështetje dhe urime për shërim të shpejtë për motrën e tij.
