Pas më shumë se një viti në burg, ish-presidenti Ilir Meta nuk u paraqit sot në sallë, ndërsa avokati i tij denoncon zvarritjet e procesit dhe shkeljen e afateve ligjore
Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është shtyrë përsëri seanca ndaj ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta. Avokati i tij, Kujtim Cakrani, i cili u paraqit sot në gjykatë, deklaroi se procesi ka tejkaluar çdo afat ligjor dhe se drejtësia po shkel haptazi rregullat e procedurës.
“Afati ligjor ka mbaruar, me Irena Gjokën nuk shtyhet më kjo punë. Halli i saj s’është i Metës,” u shpreh Cakrani pas seancës, duke akuzuar gjyqtaren për vonesa të qëllimshme dhe mungesë transparence në trajtimin e çështjes.
Meta ndodhet pas hekurave prej më shumë se një viti, ndërsa mbrojtja pretendon se çdo masë sigurie ka humbur arsyen e saj ligjore. Javën e kaluar, GJKKO rrëzoi kërkesën për shuarjen e masës së arrestit, vendim që avokati e cilësoi si precedent të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare.
Sipas Cakranit, në këtë fazë të procesit nuk ekziston më asnjë rrezik që zoti Meta të ndikojë mbi provat apo dëshmitarët, duke shtuar se gjykatat në vend po kthehen në toga pushkatimi dhe se mungojnë verdiktet e pafajësisë.
Ai kujtoi gjithashtu se kishte paralajmëruar publikisht se Ilir Meta do të dilte nga qelia brenda muajit tetor, por shtyrjet e vazhdueshme të seancave e kanë bërë këtë të pamundur.
Ndërkohë, GJKKO nuk ka dhënë një datë të re për vijimin e procesit, ndërsa mbrojtja pritet të kërkojë përsëri lirimin e menjëhershëm të ish-presidentit.
