
Londra nën pikëpyetje të madhe, pas vite kërkimesh pa gjurmë për prindërit e tre foshnjave motra e vëllezër
Në një nga historitë më tronditëse që ka prekur edhe hetues me përvojë, policia britanike po përgatitet të mbyllë një hetim unik: tri foshnje, të braktisura në rrethana pothuajse identike, në zona të afërta të Londrës lindore, pa asnjë gjurmë të prindërve të tyre.
Foshnja e parë, e quajtur Harry nga stafi mjekësor, u gjet në vitin 2017 e mbështjellë me batanije në një shkurre në Plaistow. Dy vite më vonë, në janar 2019, një tjetër foshnjë, Roman, u gjet në temperatura ngrirëse, e futur në një qese blerjeje në të njëjtën zonë. Rasti i tretë ndodhi në janar 2024, kur një shëtitës me qen zbuloi një foshnjë vetëm një orë të lindur, të braktisur në një qese të një farmacie, në temperatura deri në -4 gradë.
Testet e ADN-së zbuluan se të tre foshnjat janë motra e vëllezër, çka e ktheu hetimin në një nga më të ndërlikuarit në historinë e policisë londineze. Për vite me radhë, dhjetëra hetues analizuan qindra orë pamje kamerash, përdorën analiza gjenetike familjare dhe ndoqën pista në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe jashtë saj.
Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve ekstreme, autoritetet nuk kanë arritur të identifikojnë nënën apo ndonjë të afërm të drejtpërdrejtë. Zona ku u lanë foshnjat mendohet se është zgjedhur me kujdes, pasi nuk ka kamera sigurie, duke e bërë autorin praktikisht të padukshëm.
Policia nuk përjashton mundësinë që nëna të ketë lënë vendin, të jetë nën kontroll të dikujt tjetër, ose të jetojë jashtë Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa afron përvjetori i dytë i rastit të fundit, një rishikim përfundimtar pritet të vendosë nëse hetimi do të mbyllet zyrtarisht.
Një histori që vazhdon të ngrejë pyetje të dhimbshme: si mund të ndodhin tri braktisje foshnjash në qytetin më të survejuar në botë, pa asnjë përgjigje?
