
Edhe pse ka zhvilluar dy ndeshje radhazi si titullar, mbrojtësi nuk bind teknikun, ndërsa në vend të tij përfshihet Klisman Cake.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, publikoi sot listën për dy sfidat e fundit kualifikuese drejt Kupës së Botës 2026, përballë Andorrës dhe Anglisë. Në repartin e mbrojtjes bie në sy mungesa e Enea Mihajt, një prej lojtarëve që deri tani kanë qenë pjesë e rregullt e grumbullimeve.
Mihaj luajti 90 minuta në miqësoren e fundit kundër Jordanisë në “Air Albania”, si dhe zhvilloi një tjetër ndeshje të plotë me ekipin e tij në SHBA, Atlanta United. Megjithatë, këto paraqitje nuk kanë mjaftuar për trajnerin brazilian, i cili këtë herë ka vendosur të mos e përfshijë.
Në vend të tij, Silvinjo ka zgjedhur të vazhdojë me Klisman Cake, mbrojtësin që debutoi pikërisht përballë Jordanisë dhe që duket se ka bindur stafin teknik me formën dhe profilin e tij.
Kjo lëvizje shihet si sinjal se vendet në Kombëtare janë të hapura për konkurrencë dhe se formë-rendimenti aktual do të ketë më shumë peshë sesa e kaluara apo statusi i lojtarëve në skuadër.
Tani gjithë vëmendja është e përqendruar te dy sfidat vendimtare që do të përcaktojnë rrugëtimin e kuqezinjve drejt Botërorit 2026.
