
Në pesë paraburgime dhe burgje të sigurisë së lartë do të instalohen sisteme antidron, me synim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në qeli përmes dronëve.
Sistemi i parë do të vendoset në paraburgimin 313 në Tiranë, ku mbahen të izoluar eksponentët më të rrezikshëm të botës së krimit, përfshirë krerë organizatash kriminale dhe autorë apo urdhërues atentatesh mafioze. Në këtë institucion ndodhen gjithashtu 13 të penduar të drejtësisë, dëshmitë e të cilëve kanë ndihmuar në çmontimin e grupeve kriminale.
Sistemet antidron do të instalohen gjithashtu në burgjet e sigurisë së lartë të Peqinit, Drenovës, Fierit dhe Reçit në Shkodër, ku mbahet një tjetër kategori të dënuarish dhe të paraburgosurish me rrezikshmëri të lartë shoqërore.