
Reshjet intensive rrisin nivelin e ujit, nis shkarkimi automatik dhe monitorimi i vazhdueshëm i digës
Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin ditët e fundit kanë ndikuar ndjeshëm edhe në Tiranë, duke rritur nivelin e ujit në Liqenin Artificial. Sipas të dhënave zyrtare, niveli aktual i ujit ka arritur rreth 40 centimetra larg kuotës maksimale të lejuar, çka ka vënë në lëvizje strukturat përgjegjëse për menaxhimin e situatës.
Burime nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë bëjnë me dije se sistemi i shkarkimit automatik të tepricës së ujit ka nisur të funksionojë, për të shmangur çdo rrezik të mundshëm nga tejmbushja e digës. Procesi po kryhet në mënyrë të kontrolluar, ndërsa deri në këto momente nuk raportohet për rrezik përmbytjeje në zonat përreth.
Në disa segmente pranë liqenit, uji është afruar pranë bizneseve dhe hapësirave publike, por pa shkaktuar dëme materiale. Autoritetet theksojnë se situata është nën kontroll, megjithatë monitorimi do të vijojë pa ndërprerje, për shkak të parashikimeve për reshje të tjera në orët dhe ditët në vijim.
Qytetarët që frekuentojnë zonën e Liqenit Artificial këshillohen të tregojnë kujdes, ndërsa institucionet përgjegjëse mbeten në gatishmëri për të reaguar në kohë në rast të çdo përkeqësimi të situatës.
