
Në një intervistë të dhënë në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ish-koloneli Dilaver Goxhaj ka ndarë detaje të rëndësishme dhe pak të njohura më parë mbi përbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe qëndrimin e saj ndaj pjesëmarrjes së të huajve në luftë.Sipas Goxhajt, UÇK-ja ka qenë një forcë tërësisht shqiptare, pavarësisht përpjekjeve të disa grupeve të huaja për të marrë pjesë në konfliktin e armatosur kundër forcave serbe. Ai ka rrëfyer një episod konkret që sipas tij dëshmon qartë këtë:
“Erdhi një grup nga Bosnja, ishin arabë dhe iranianë që kishin qenë në luftën e Bosnjës dhe erdhën për të luftuar në Kosovë. Këta i priti shefi i shtabit të përgjithshëm. U tha: faleminderit shumë, por nuk do pranojmë të huaj sepse do na akuzojnë për të tjera gjëra dhe ata u kthyen pas.”
Ish-koloneli theksoi se refuzimi i pjesëmarrjes së të huajve ishte një vendim i qëllimshëm dhe i menduar mirë nga drejtuesit e UÇK-së, për të shmangur çdo përpjekje për t’i dhënë luftës karakter tjetër nga ai çlirimtar.