
Fluturimet nga Bologna dhe Bergamo drejt Tiranës devijohen në orët e para të mëngjesit, pasagjerët kërkojnë kthim të menjëhershëm në Shqipëri
Kompania ajrore Wizz Air është përfshirë sërish në një skandal të rëndë, pasi rreth 400 pasagjerë nga dy fluturime me destinacion Tiranën janë devijuar papritur në aeroportin e Brindisit, në orën 03:00 të mëngjesit të 7 janarit.
Fluturimet ishin nisur nga Bologna dhe Bergamo, por në vend që të uleshin në aeroportin e Rinasit, përfunduan në Itali, duke shkaktuar zemërim dhe revoltë të pasagjerëve. Sipas raportimeve, situata degradoi shpejt, me pasagjerë të irrituar që kaluan portat e kontrollit, sfiduan kordonet e sigurisë dhe u zhvendosën drejt pistës së aeroportit.
Dhjetëra udhëtarë kërkuan me insistim të niseshin menjëherë drejt Shqipërisë, ndërsa mungesa e informacionit dhe zgjidhjeve konkrete nga kompania ajrore e përkeqësoi edhe më tej situatën, duke krijuar kaos në ambientet e aeroportit të Brindisit.
Wizz Air ka justifikuar devijimin me kushte jo të favorshme atmosferike, por pasagjerët e cilësojnë këtë shpjegim të papranueshëm, duke theksuar se janë lënë pa asistencë dhe pa një plan të qartë udhëtimi.
Ky nuk është rasti i parë që kompania ajrore përballet me denoncime të tilla. Prej kohësh, pasagjerë të shumtë kanë ngritur shqetësime për anulime, devijime dhe mungesë shërbimi, duke e përshkruar udhëtimin me Wizz Air si një përvojë stresuese dhe të pasigurt.
Vetëm një ditë më parë, një tjetër fluturim që duhej të ulej në Tiranë kishte përfunduar gjithashtu në Brindisi, duke shtuar pakënaqësitë dhe akuzat ndaj kompanisë për keqmenaxhim dhe neglizhencë ndaj pasagjerëve.
