
17-vjeçarja punoi si oficere burgu në një institucion të sigurisë në Mbretërinë e Bashkuar, duke patrulluar krah kriminelëve të rrezikshëm, pa u verifikuar mosha e saj
Një skandal i rëndë ka tronditur sistemin penitenciar britanik, pasi një adoleshente vetëm 17 vjeçari është punësuar gabimisht si oficere burgu në HMP Erlestoke, ku ka pasur akses të plotë në ambiente të sigurisë së lartë dhe detyra operative krahas gardianëve të trajnuar. Emily Frith, e cila ishte ende e mitur, ka patrulluar qelitë, ka marrë pjesë në numërimin e të dënuarve, ka kontrolluar vizitorë dhe ka mbajtur radio e çelësa zyrtarë, ndërkohë që brenda institucionit ndodheshin vrasës serialë, trafikantë të fuqishëm droge dhe madje edhe terroristi Manfo Kwaku Asiedu, i njohur si bombaxhiu i pestë i Londrës.
Rasti u zbulua rastësisht dy javë pas fillimit të punës, kur një punonjës vuri re datën e lindjes në dokumentet e saj të udhëtimit. Frith, që aplikoi përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe dërgoi certifikatë lindjeje e dokument identifikimi ku mosha shihej qartë, kaloi kontrollet e sigurisë dhe intervistat pa u verifikuar mosha minimale ligjore, e cila duhet të jetë 18 vjeç në momentin e fillimit të detyrës.
Adoleshentja ka rrëfyer se brenda burgut ka parë korrupsion, punonjës që sillnin telefonë e pajisje të ndaluara për të burgosurit, madje edhe marrëdhënie intime mes stafit dhe të dënuarve. Ajo u pezullua me pagesë deri në mbushjen e moshës madhore dhe u rikthye në shërbim për 18 muaj, por sot deklaron se përvoja i ka shkaktuar trauma dhe zhgënjim të madh ndaj sistemit penal.
Ministria e Drejtësisë në Britani ka nisur një rishikim të rastit, ndërsa skandali vjen në një moment ku autoritetet përballen me kritika të forta pas numrit të lartë të lirimeve gabim të të burgosurve. Vetë ministri David Lammy ka pranuar se vetëm muajt e fundit janë regjistruar mbi 10 lirime të gabuara, dy prej të cilëve mbeten ende në arrati.
Rasti i Frith ka hapur debat të gjerë në opinion publik për sigurinë e burgjeve britanike dhe mungesën e filtrave në rekrutim, ndërkohë që ekspertët paralajmërojnë se vendosja e të miturve në kontakt me kriminelë të rrezikshëm përbën shkelje serioze të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve.
