
Jetmir Uta u arrestua nga AMP pasi dyshohet se detyroi një 19-vjeçare për marrëdhënie me dhunë dhe e kërcënoi të mos denonconte, ndërsa hetimet zbulojnë edhe persona të tjerë të përfshirë.
Personi i identifikuar si Jetmir Uta, 24 vjeç, punonjës policie në Dibër, është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nën dyshimin për abuzim seksual me dhunë ndaj një 19-vjeçareje dhe shpërdorim detyre. Hetimet nisën pas kallëzimit të të resë L. H., e cila deklaroi se Uta e kishte detyruar përmes presionit, shantazhit dhe kërcënimeve që të mos njoftonte autoritetet.
Në kohën kur dyshohet se ka kryer veprën, ai shërbente si ndihmës specialist i Patrullës së Përgjithshme. Pas ngjarjes, Uta ishte larguar drejt Kosovës, por u ndalua nga AMP në momentin e rikthimit në territorin shqiptar. Sipas hetimeve, ai kishte ushtruar edhe kanosje të drejtpërdrejtë për të frenuar denoncimin.
Materialet procedurale përfshijnë gjithashtu dy persona të tjerë të dyshuar për kanosje për të mos kallëzuar dhe përkrahje të autorit të krimit. AMP konfirmon se metodat speciale të hetimit dokumentuan përfshirjen e Utës në veprat penale marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura dhe shpërdorim detyre.
Ndërkohë, një qytetar ka dërguar informacion në JOQ duke pretenduar se Uta ka qenë shofer i zëvendësdrejtorit të Krimeve në Drejtorinë Dibër dhe se pak ditë pas ngjarjes është lëvizur nga pozicioni, duke u rikthyer në patrullë. Sipas këtij burimi, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mes datave 15 dhe 18 nëntor.
Hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë në këtë skandal.
