
E reja 25-vjeçare dhe partneri i saj pranojnë se kanë tregtuar të dhëna sensitive kundrejt pagesave, çështja përfundon në prokurori
Një skandal i rëndë ka tronditur policinë franceze, pasi një punonjëse e forcave të rendit dhe partneri i saj janë arrestuar nën akuzën e shitjes së dosjeve sekrete policore përmes rrjetit social Snapchat. Lajmi bëhet i ditur nga media franceze RTL, e cila citon burime hetimore.
Ngjarja është zbuluar pas një hetimi disa mujor të Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare dhe Policisë Gjyqësore të Yvelines. Sipas autoriteteve, policja, e cila shërbente në Drejtorinë e Rendit Publik dhe Qarkullimit në Paris, kishte aksesuar në mënyrë të përsëritur dhe pa arsye profesionale databaza të ndjeshme, përfshirë regjistrin e precedentëve penalë dhe dosjet e personave në kërkim.
Hetimi nisi në fund të vitit 2024, kur Zyra Kundër Kriminalitetit Kibernetik zbuloi një llogari në Snapchat që ofronte në shitje të dhëna policore. Çmimet varionin nga 30 euro për verifikimin e targave të automjeteve, 150 euro për nxjerrjen e një dosjeje nga regjistri i personave në kërkim, deri në 250 euro për heqjen e bllokimit të një automjeti në çdo qytet të Francës.
Gjurmimi teknik çoi hetuesit te dy numra telefoni, njëri prej të cilëve rezultoi të ishte i policës 25-vjeçare. Kontrolli i brendshëm tregoi se ajo kishte kryer një numër anormalisht të lartë kërkimesh në sistemet policore, pa qenë e përfshirë në hetimet përkatëse.
Sipas hetimit, policja dhe partneri i saj, një burrë rreth të 30-ave me precedentë penalë, kishin ndarë rolet. Ai siguronte klientët përmes Snapchat, ndërsa ajo përdorte aksesin e saj institucional për të nxjerrë dhe shpërndarë të dhënat konfidenciale. Informacionet e shitura konsiderohen tepër të ndjeshme, pasi mund t’u shërbenin personave të përfshirë në veprimtari kriminale për të shmangur arrestimin apo hetimet.
Të dy u ndaluan më 15 dhjetor dhe gjatë marrjes në pyetje pranuan akuzat. Një ditë më pas, ata u paraqitën para Prokurorisë së Parisit, ku pritet të përballen me procedurë të përshpejtuar gjyqësore.
Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për korrupsionin dhe abuzimin me aksesin në të dhëna të ndjeshme brenda forcave të rendit në Francë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa më të rrepta kontrolli dhe ndëshkimi.
