Federata turke zbulon një rrjet të gjerë bastesh të paligjshme mes gjyqtarëve, me dhjetëra raste që përfshijnë edhe figura të larta të futbollit
Një tjetër skandal ka tronditur futbollin turk. Më shumë se 150 gjyqtarë janë kapur duke marrë pjesë në baste sportive, në kundërshtim të plotë me rregullat e FIFA dhe federatës vendase.
Kreu i Federatës Turke të Futbollit (TFF), Ibrahim Hatciosmanoglu, deklaroi në një konferencë për shtyp se nga 571 gjyqtarë të verifikuar, 371 kishin llogari aktive në kompani bastesh online, ndërsa 152 prej tyre ishin lojtarë të rregullt bastesh.
Hatciosmanoglu e cilësoi këtë si një nga skandalet më të mëdha në historinë e sportit turk dhe theksoi se procesi i hetimit dhe ndëshkimeve do të nisë menjëherë. Ai nënvizoi se federata është e vendosur të pastrojë futbollin nga çdo formë korrupsioni dhe ndikimi të paligjshëm.
Burime brenda TFF bëjnë të ditur se 22 prej gjyqtarëve të përfshirë janë të nivelit të lartë, ndërsa një prej tyre rezulton të ketë vendosur baste në mbi 18 mijë ndeshje sportive, duke përfshirë edhe sfida të kampionatit turk.
Ky zbulim vjen pas një periudhe të tensionuar për futbollin turk, i cili muajt e fundit është përballur me incidente të shumta, përfshirë sulme ndaj gjyqtarëve dhe akuza për manipulime rezultatesh.
Federata ka paralajmëruar se do të publikojë rezultatet e hetimeve dhe do të marrë masa disiplinore ndaj çdo zyrtari të përfshirë, ndërsa pritet që skandali të shkaktojë tronditje të thellë në strukturat e arbitrimit turk.
