
Pamjet virale nxisin reagim të ashpër, klubi konfirmon hetim policor dhe ndërhyrjen e Federatës
Një incident i rëndë ka tronditur futbollin në Uells, pasi klubi Trearddur Bay FC ka pezulluar menjëherë lojtarin Tom Taylor, pas një goditjeje me bërryl ndaj një kundërshtari gjatë ndeshjes kundër CPD Porthmadog.
Ngjarja ndodhi të shtunën, pak para ekzekutimit të një penalltie, kur Taylor u filmua duke goditur me forcë në fytyrë një lojtar të Porthmadog. Pamjet u shpërndanë masivisht në rrjetet sociale dhe shkaktuan zemërim të madh te tifozët, të cilët kërkuan ndëshkim ekstrem, madje edhe përjashtim të përjetshëm nga futbolli.
Klubi Trearddur Bay konfirmoi përmes një deklarate zyrtare se lojtari është pezulluar me efekt të menjëhershëm dhe se tashmë është hapur edhe një hetim nga policia. Sipas klubit, për shkak të procedurave ligjore në vijim, nuk do të ketë komente të mëtejshme, ndërsa theksohet se dhuna dhe sjelljet e paligjshme nuk tolerohen në asnjë formë.
Edhe Football Association of Wales reagoi, duke njoftuar se është në dijeni të incidentit dhe se po e shqyrton çështjen, pasi ndeshjet e këtij niveli bien nën juridiksionin e saj disiplinor.
Ndërkohë, ndeshja u fitua nga Porthmadog me rezultatin 3–2, por rezultati sportiv u la në hije nga incidenti, i cili ka hapur një debat të gjerë mbi dhunën në futbollin amator dhe nevojën për masa më të rrepta disiplinore.
Hetimet policore dhe vendimi përfundimtar disiplinor pritet të përcaktojnë fatin e lojtarit në ditët në vijim.
