
Pas një hetimi disa mujor, AMP dhe Prokuroria e Durrësit godasin strukturën e hetimit në Kavajë, duke përfshirë shefa dhe inspektorë në skemë neglizhence.
Komisariati i Policisë së Kavajës është përfshirë në një tjetër skandal që ka tronditur strukturat lokale të rendit. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie, përfshirë drejtues të niveleve të larta dhe inspektorë terreni.
Hetimet, që zgjatën disa muaj, kanë zbuluar se gjatë ushtrimit të detyrës, këta oficerë nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike në zonat që mbulonin. Si rezultat, në territorin nën përgjegjësinë e tyre janë gjetur të mbjella 550 bimë kanabisi.
Në listën e pezullimeve përfshihen ish-shefi i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Kavajës, aktualisht me detyrë në Divjakë, një nënkomisar dhe dy inspektorë policie. Të gjithë po përballen me masën e sigurisë pezullim nga detyra për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Burime nga hetimi thonë se ngjarja ka hapur hetime të tjera për mundësinë e bashkëpunimit të këtyre zyrtarëve me persona që përfitojnë nga aktivitetet kriminale të kultivimit të drogës.
Ky është një tjetër rast që vë në qendër të vëmendjes përgjegjësinë e strukturave policore lokale dhe kontrollin e zbatimit të ligjit në luftën kundër narkotikëve, një problem që vijon të mbetet i mprehtë në disa zona të vendit.