
Hetim penal për presidentin e Napolit, Aurelio De Laurentiis. Prokuroria e Romës akuzon klubin për falsifikim bilancesh dhe mashtrim në transferimin e sulmuesit nigerian Victor Osimhen.
Një stuhi ligjore ka përfshirë klubin italian të futbollit Napoli, ndërsa Prokuroria e Romës ka kërkuar që presidenti Aurelio De Laurentiis të dalë në gjyq nën akuzën e kontabilitetit të rremë dhe mashtrimit financiar lidhur me blerjen e Victor Osimhen nga Lille në vitin 2020.
Në qendër të hetimeve është marrëveshja prej 70 milionë eurosh, një shifër që hetuesit e konsiderojnë të fryrë artificialisht për të manipuluar bilancet e klubit.
Sipas dokumenteve të Guardia di Finanza, Napoli kishte vendosur një tavan shpenzimesh prej 50 milionë eurosh, ndërsa presidenti i Lille, Gerard Lopez, kërkonte 70 milionë. Për të mbyllur marrëveshjen, klubet sajuan një sistem shkëmbimi lojtarësh: katër futbollistë të Napolit: Orestis Karnezis, Luigi Liguori, Claudio Manzi dhe Ciro Palmieri u shitën te Lille për një vlerë të deklaruar prej 20 milionë eurosh.
Por hetuesit zbuluan se asnjë prej tre të rinjve nuk kishte qenë ndonjëherë në Francë, nuk kishte bërë teste mjekësore dhe nuk ishte stërvitur me klubin francez. Kjo e bën marrëveshjen të dyshohet si fiktive, duke u përdorur vetëm për të justifikuar vlerën totale të transferimit.
Në materialet e zbuluara nga hetuesit gjenden email-e dhe biseda telefonike komprometuese.
Në një prej tyre, presidenti i Lille, Lopez, i shkruan: “Do ta sjellim Karnezisin te Lille për 20 milionë euro. Është e rëndësishme që të mos ketë komunikim për çmimin, do të na bënte të gjithëve të dukeshim keq.”
Ndërsa zëvendësdrejtori sportiv i Napolit, Giuseppe Pompilio, i thotë drejtorit sportiv Giuntoli:
“Nuk ke pse të shkruash asgjë. Emailet nuk do të lënë gjurmë. Mund ta rregullosh gjithçka gojarisht.”
Hetuesit e konsiderojnë këtë provë kyçe që tregon qartë se marrëveshja ishte e manipuluar për të mbuluar shifrën reale të pagesës për Osimhen.
Ndërsa Federata Italiane e Futbollit (FIGC) ka mbyllur hetimin në aspektin sportiv, duke mos marrë masa disiplinore, drejtësia italiane po ecën përpara.
Prokuroria thekson se “ndërtimi i këtyre vlerave kishte si qëllim arritjen e shumës nominale prej 70 milionë eurosh për transferimin e Osimhen”, duke i dhënë Lille përfitimin financiar të kërkuar.
Nëse gjykata pranon kërkesën për proces penal ndaj De Laurentiis, pasojat për Napolin mund të jenë të rënda ; gjoba të mëdha, bllokim fondesh dhe rrezik për dëmtim të imazhit të klubit, vetëm pak vite pas titullit historik të Serie A.
Ky hetim ka tronditur opinionin sportiv italian, duke rikthyer në qendër të debatit praktikat e errëta financiare që kanë shoqëruar futbollin europian në dekadat e fundit.
Një klub që deri dje lavdërohej për modelin e qëndrueshëm ekonomik, sot përballet me akuza për mashtrim dhe manipulim të llogarive.
Nga lavdia e fitores në hijen e akuzës, Napoli, një klub që po lufton në një fushë shumë më të rrezikshme se ajo e futbollit, gjykata.