
Një skandal tronditës ka goditur Policinë e Shtetit, pas zbulimit të një rasti abuzimi seksual ndaj një vajze 16-vjeçare në Përmet, ku të përfshirë rezultojnë edhe efektivë të uniformës blu.
Burime zyrtare konfirmojnë se Shefi i Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko, është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij ka nisur një procedim disiplinor, pasi dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen dhe nuk ka vepruar në kohë.
Hetimet e Prokurorisë së Gjirokastrës kanë zbuluar një histori të rëndë abuzimi që ndodhte prej tre vitesh. Njerku i të miturës, me inicialet P.B, 55 vjeç, njëkohësisht punonjës policie në Tepelenë, akuzohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën për një periudhë të gjatë. Në të njëjtën kohë, një tjetër efektiv, Artur Ago, është filmuar duke kryer veprime të turpshme me të miturën, pamje që më pas u përdorën për shantazh ndaj tij.
Dy persona të tjerë, që kishin në dorë materialin filmik, i kanë kërkuar Agos shumën prej 10 mijë eurosh, duke e kërcënuar se përndryshe do t’i publikonin pamjet në rrjetet sociale. Polici refuzoi të paguante dhe u arratis në Greqi. Aktualisht ai është shpallur në kërkim, ndërsa Gjykata e Gjirokastrës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për P.B.
Strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore në Vlorë dhe Gjirokastër janë vënë në dijeni për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë ngjarje, ndërsa pritet që hetimet të shtrihen edhe më tej për të përcaktuar përgjegjësitë e mundshme të zyrtarëve të tjerë policorë.
Ky skandal ka shkaktuar reagim të fortë publik dhe pritet të tronditë rëndë besimin te institucionet e rendit, duke ngritur edhe njëherë pyetje mbi mbrojtjen e të miturve dhe rolin e policisë në komunitet.