
Një infermiere në shtetin amerikan të Virxhinias është shkarkuar nga puna pasi publikoi disa video në rrjetin social TikTok, ku u bënte thirrje profesionistëve të shëndetësisë të përdornin shiringa dhe ilaçe paralizuese kundër agjentëve të emigracionit ICE.
Bëhet fjalë për Malinda Cook, infermiere anesteziste në spitalin universitar Virginia Commonwealth University Health, e cila u identifikua nga mediat lokale pas përhapjes masive të videove të saj në rrjetet sociale. Në to, ajo fliste për taktika sabotimi dhe frikësimi ndaj agjentëve të ICE, në kulmin e protestave dhe trazirave kundër politikave të emigracionit në disa qytete amerikane.
Në një prej videove, Cook u bënte thirrje kolegëve të saj që të merrnin shiringa dhe t’i mbushnin ato me substanca si serum fiziologjik ose edhe me medikamente anestezike me veprim të shpejtë, duke sugjeruar se kjo do të shërbente si mjet frikësimi. Ajo përmendi konkretisht edhe substanca që shkaktojnë paralizë të përkohshme, deklaratë që u konsiderua tejet e rrezikshme dhe alarmante.
Pas reagimit publik dhe përhapjes së videove, drejtuesit e VCU Health njoftuan se Cook ishte larguar menjëherë nga detyra. Në një deklaratë zyrtare, institucioni shëndetësor theksoi se komentet e saj ishin të papranueshme, në kundërshtim të plotë me etikën profesionale dhe se nuk përfaqësonin vlerat apo standardet e spitalit.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ndaj saj do të ketë edhe pasoja penale, ndërsa ngjarja ka hapur debat të gjerë në SHBA mbi gjuhën e dhunës në rrjetet sociale dhe përgjegjësinë e profesionistëve të shëndetësisë në kontekste politike dhe shoqërore të tensionuara.
