
Projektorët u fikën pas pjesës së parë, ekipet mbetën të bllokuara në dhomat e zhveshjes dhe sfida u pezullua për disa minuta
Një episod i paprecedentë ka tronditur mbrëmjen e sotme kampionatin shqiptar, ku ndeshja mes Dinamos dhe Vllaznisë në stadiumin “Arena Kombëtare” u ndërpre për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Menjëherë pas përfundimit të pjesës së parë, projektorët e stadiumit u fikën, duke e bërë të pamundur rifillimin e takimit dhe duke zhytur impiantin në errësirë të plotë. Për pasojë, të dyja skuadrat u detyruan të qëndronin për një kohë të gjatë në dhomat e zhveshjes, pa pasur mundësi as për një nxehje minimale.
Sipas raportimeve, problemi lidhej me një defekt në furnizimin me energji elektrike në zonën përreth stadiumit, çka ngriti pikëpyetje serioze mbi sigurinë dhe organizimin e ndeshjeve në impiantin kryesor të futbollit shqiptar.
Vetëm pas rikthimit të energjisë elektrike, ekipet dolën sërish në fushë për një nxehje të shkurtër, përpara se ndeshja të rifillonte normalisht.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin sportiv, duke u konsideruar një skandal që dëmton imazhin e Superiores dhe vë në diskutim standardet organizative të kampionatit.
