Pas ankesave të disa ekipeve rivale, Federata Shqiptare e Volejbollit ka kërkuar teste mjekësore për volejbollisten braziliane Nayara Ferreira, e cila pretendon se është viktimë e diskriminimit dhe ndalimit të padrejtë.
Një situatë e pazakontë ka tronditur volejbollin shqiptar. Federata Shqiptare e Volejbollit ka pezulluar përkohësisht nga aktivitetet sportive lojtarën braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, pas raportimeve dhe ankesave që kanë mbërritur nga ekipe kundërshtare lidhur me identitetin e saj gjinor.
Ferreira, 32 vjeçe, është një emër i njohur në arenën ndërkombëtare të volejbollit, me një karrierë të gjatë në Brazili, Spanjë, Çeki, Finlandë, Portugali dhe Lindjen e Mesme. Këtë sezon ajo u bashkua me ekipin e Dinamos, në eksperiencën e saj të parë në kampionatin shqiptar, por përballja me këtë situatë e ka gjetur të papërgatitur.
Sipas burimeve pranë Federatës, pezullimi u vendos pas sinjalizimeve të ardhura nga disa skuadra që kërkuan verifikim të dokumentacionit mjekësor të sportistes. Federata i ka kërkuar klubit të Dinamos që të kryejë një test të specializuar mjekësor, për të konfirmuar gjininë biologjike të lojtares.
Burime brenda FSHV pohojnë se kërkohen ekzaminime të thelluara për të përjashtuar çdo mundësi të ndryshimeve të mëparshme gjinore. Deri në daljen e rezultateve përfundimtare, Ferreira mbetet e pezulluar nga të gjitha aktivitetet.
Sportistja braziliane, në reagimin e saj të parë, ka shprehur zhgënjim dhe tronditje nga vendimi, duke e cilësuar atë si një akt diskriminues. Ajo dhe klubi Dinamo janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë për sqarimin e plotë të situatës.
Rasti ka shkaktuar debat të gjerë në opinionin sportiv, ndërsa shumë zëra kanë kërkuar që çështja të trajtohet me kujdes dhe respekt ndaj privatësisë së sportistes, duke theksuar se sporti duhet të mbetet fushë e meritës dhe jo e paragjykimeve.
Për momentin, as Dinamo dhe as Federata nuk kanë bërë një deklaratë zyrtare. Vendimi përfundimtar do të merret pas përfundimit të analizave mjekësore, që pritet të dalin në ditët në vijim.
