

Howard Rubin, ish-menaxher i fondeve të miliarderit George Soros dhe një nga emrat e njohur të Wall Street, është arrestuar nga autoritetet amerikane, pasi ndaj tij është ngritur një aktakuzë me 10 pika që e lidh me abuzime të rënda ndaj grave dhe organizim prostitucioni.
Sipas prokurorisë federale në Brooklyn, Rubin, i njohur me nofkat “Howie” dhe “H”, akuzohet se për gati një dekadë (2009–2019) ka rekrutuar gra përmes agjencive të eskortës dhe rrjeteve të modeleve, të cilat më pas i ka futur në një apartament luksoz të shndërruar në një “burg seksi”. Hetuesit theksojnë se ambientet ishin të pajisura me kamera e kompjutera ku çdo skenë dokumentohej me imtësi.
Fillimisht, sipas akuzës, Rubin kishte përdorur hotele luksoze në Manhattan për aktivitetet e tij të paligjshme, përpara se të ngrinte këtë apartament të specializuar, me dy dhoma gjumi, vetëm për të kryer aktet e abuzimit.
Rubin, dikur i vlerësuar si një nga menaxherët më të suksesshëm të fondeve në Wall Street, tani përballet me akuza të rënda që mund ta çojnë drejt dënimeve shumëvjeçare. Prokuroria pritet të sjellë prova të tjera, ndërsa media amerikane e ka cilësuar rastin si një nga skandalet më tronditëse të përfshirjes së një figure të lartë të botës së financës, në krime të kësaj natyre.