
Përmendja në dokumente të lidhura me skandalin Jeffrey Epstein çon në dorëheqjen e një prej figurave kyçe të diplomacisë europiane
Miroslav Lajçak ka njoftuar dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, pas publikimit të dokumenteve të reja që lidhen me skandalin Jeffrey Epstein, ku përmendet edhe emri i tij. Lajçak njihet si një nga figurat më të rëndësishme të diplomacisë sllovake dhe europiane, duke mbajtur ndër vite role kyçe, përfshirë edhe atë të të dërguarit të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi.
Lajmi ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, pasi raportimet flasin për komunikime të mëparshme mes Lajçakut dhe Epstein, financierit amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim qeniesh njerëzore. Sipas burimeve mediatike, emri i diplomatit shfaqet në disa shkëmbime mesazhesh, çka ka ngritur pikëpyetje mbi natyrën e këtyre kontakteve.
Në reagimin e tij, Lajçak ka mohuar çdo përfshirje apo përfitim nga këto komunikime, duke theksuar se kontaktet kanë qenë të rastësishme dhe jo profesionale. Ai ka deklaruar se, nëse do të kishte qenë në dijeni të plotë të veprimtarisë kriminale të Epstein, nuk do të kishte pasur asnjë ndërveprim me të, duke shtuar gjithashtu se nuk mund të garantojë për saktësinë absolute të të gjitha dokumenteve që po qarkullojnë.
Dorëheqja e tij u pranua nga kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, i cili e vlerësoi Lajçakun si një diplomat me kontribut të jashtëzakonshëm. Fico i cilësoi reagimet publike si të tepruara dhe të mbështetura në spekulime, ndërsa theksoi se largimi i tij nga detyra synon të shmangë dëmtimin e imazhit të shtetit sllovak në një moment të ndjeshëm politik.
