

Prokuroria çon në gjyq ish-zyrtaren dhe një bashkëpunëtor për falsifikime e leje ndërtimi të paligjshme në kryeqytet
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë ka finalizuar hetimet mbi një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit në administratën publike, duke dërguar për gjykim ish-drejtoreshën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dega Tiranë Veri, shtetasen E. G. Sipas organit të akuzës, ish-zyrtarja, në bashkëpunim me shtetasin Sh. B., ka favorizuar ndërtimet pa leje përmes dokumenteve të falsifikuara dhe manovrave burokratike që i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëme me vlera shumë milionëshe.
Nga hetimet e nisura pas denoncimeve të qytetarëve, u zbulua se në zonën e rrugës së “Bogdanëve” në kryeqytet, janë kryer ndërtime me ndryshim destinacioni dhe sipërfaqe ndërtimore të manipuluar, duke shmangur taksat dhe duke i hapur rrugë një skeme të gjerë mashtrimi. Ish-drejtoresha akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa bashkëpunëtori i saj për ndërtim të paligjshëm dhe mashtrim.
Procesi gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi përmasat e plota të kësaj afere dhe përgjegjësitë që mbartin zyrtarët e përfshirë.